Stërmbesa e Skënderbeut, mysafire speciale në Rahovec
Çdo vjet, qyteti i vjetër i Rahovecit i cili njihet më shumë për kultivimin e rrushit dhe prodhimin e produkteve nga rrushi, organizon festën e vjeljes së rrushit në fillim të shtatorit.
Sikur vjet, edhe sivjet kjo festë quhet “HardhFest” dhe do të mbahet në Rahovec më 2, 3 dhe 4 shtator ku do të ketë mysafirë të ndryshëm dhe do të ketë shumë argëtim gjatë festës, raporton Koha.net.
Organizatorët e “HardhFest 2016”, ndër të tjera, njoftojnë përmes një postimi në Facebook, se mysafire speciale do të jetë stërmbesa e heroit të kombit Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Sophie Castriota.
Pjesëmarrjen e saj në HardhFest 2016 e konfirmoi vetë përmes një videoje, të cilën mund ta shihni më poshtë.
Sophie Castriota është brezi i 14-të i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Ajo jeton në Brisbane të Australisë ndërsa studion në Queensland për Akademi të Muzikës, por përkohësisht ka ndërprerë studimet për të iu përkushtuar më shumë aktrimit dhe muzikës.



