Direktiva e shërbimeve e BE-së dhe ndikimi i saj në ekonominë e Kosovës
Në muajin Mars Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin e Shërbimeve. Me këtë ligj Direktiva e Shërbimeve e BE-së do të transpozoj legjislacionin kombëtar. Transpozimi dhe më vonë implementimi i Direktivës së Shërbimeve do të kenë ndikim të konsiderueshëm në tregun e shërbimeve në Kosovë. Prandaj për të sqaruar këtë ndikim zhvilluam një intervistë me Matjaz Logar, i cili është kryesues i ekipit të ekspertëve në kuadër të projektit Asistencë për Zbatimin e Direktivës së Shërbimeve që është i përkrahur nga Bashkimi Evropian dhe që përkrah Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në këtë drejtim.
Çfarë ndikimi do të ketë Direktiva e Shërbimeve në Ekonominë e Kosovës?
Qëllimi i Direktivës së Shërbimeve është të bëhet përparim drejt një integrimi më të thellë të tregut të brendshëm të shërbimeve. Duke qenë sektori më i madh i ekonomisë evropiane, si bizneset, ashtu edhe konsumatorët, mund të përfitojnë nga integrimi më i thellë. Me mbështetjen e zhvillimit të tregut të brendshëm vërtetë të integruar të shërbimeve, Direktiva ndihmon që të kuptohet potenciali sa i përket rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të punës në tregun e brendshëm. Duke siguruar thjeshtimin administrativ, zbatimi i Direktivës së Shërbimeve mbështet gjithashtu edhe një agjendë më të mirë të rregullimit dhe kontribuon në shkurtimin e burokracisë.
Direktiva e Shërbimeve është hapi më i madh drejt ushtrimit të lirive themelore të garantuara me Nenet 54 dhe 56 të Traktatit për funksionimin e BE (TFEU) – liria e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime përtej kufijve. Për ta arritur këtë, dispozitat e Direktivës synojnë të thjeshtojn ë procedurat administrative, largojnë pengesat për veprimtari të shërbimeve, si dhe të rrisin si besimin e ndërsjellë ndërmjet Shteteve Anëtare, ashtu edhe besimin e ofruesve të shërbimeve dhe konsumatorëve në Tregun e Brendshëm.
Direktiva zbatohet për një gamë të gjerë të veprimtarive të shërbimeve. Dispozitat e saj kryesisht bazohen në Praktikën Gjyqësore të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë e cila ka të bëjë me lirinë e themelimit dhe lëvizjen e lirë të shërbimeve. Ato dispozita merren si plotësim i instrumenteve ekzistuese të Komunitetit, të cilat janë plotësisht të zbatueshme.
Cila është struktura e Direktivës së Shërbimeve?
Dy pjesët e para shtojnë të drejtat themelore të lirisë për të ofruar shërbime dhe lirisë së themelimit. Pjesa e tretë do të merret me të drejtat e përfituesve, ndërsa dy të fundit trajtojnë thjeshtimin administrativ dhe Pikën e Vetme të Kontaktit.
Cilat fusha të shërbimeve do t’i mbuloj direktiva apo do të ketë ndikim në to?
Si rregull themelore, Direktiva e Shërbimeve zbatohet për të gjitha shërbimet, të cilat ajo shprehimisht nuk i përjashton.
Për fillim, është me rëndësi të kuptohet koncepti i “shërbimit” dhe fushëveprimi i veprimtarive të cilat ajo i mbulon. Koncepti i “shërbimit” është në përputhje me TFEU dhe praktikën gjyqësore përkatëse të GJED, të përcaktuar më gjerësisht. Ai përfshin çdo veprimtari ekonomike të vet-punësimit, e cila zakonisht parashikohet për kompensim, siç përmendet në Nenin 50 të Traktatit të BE.
Prandaj, brenda kuptimit të TFEU dhe Direktivës së Shërbimeve, për të përbërë një “shërbim”, një veprimtari duhet të jetë veprimtari vet-punësuese, dmth. të ofrohet nga një ofrues i shërbimit (qoftë person fizik apo juridik) pa qenë i lidhur me kontratë pune. Përveç kësaj, veprimtaria zakonisht duhet të parashikohet për kompensim; me fjalë të tjera, duhet të jetë i një natyre ekonomike.
Vet fakti se një veprimtari e ofron Shteti, nga një organ shtetëror apo nga një organizatë jo-fitimprurëse, nuk do të thotë që mos përbëj një shërbim brenda kuptimit të TFEU dhe Direktivës së Shërbimeve.
Nuk ka rëndësi nëse kompensimi bëhet nga përfituesi i shërbimit apo një palë e tretë.
Cili është fushëzbatimi i Direktivës së Shërbimeve dhe Ndërlidhja me legjislacion tjetër?
Nga fushëzbatimi i Direktivës së Shërbimeve përjashtohen shërbime të caktuara. Ato shërbime janë si vijon:
- Shërbimet jo-ekonomike me interes të përgjithshëm,
- Shërbimet financiare,
- Shërbimet dhe rrjetet e komunikimit elektronik,
- Shërbimet në fushën e transportit,
- Shërbimet e agjencive për punë të përkohshme,
- Kujdesi shëndetësor
- Shërbimet audio-vizuale dhe radio-transmetuese,
- Veprimtaritë e lojërave të fatit,
- Veprimtaritë për ushtrimin e autoritetit zyrtar,
- Shërbimet sociale për strehim social, kujdes ndaj fëmijëve dhe mbështetje të familjeve dhe personave në nevojë të përhershme apo të përkohëshme,
- Shërbimet e sigurisë private,
- Shërbimet e ofruara nga noterët dhe përmbaruesit, të emëruar me akt zyrtar të qeverisë.
Si rregullë themelore, Direktiva e Shërbimeve zbatohet si plotësim i instrumenteve ekzistuese të BE. Mirëpo, ekziston mundësia që të ketë mospërputhje ndërmjet Direktivës së Shërbimeve dhe legjislacionit tjetër të BE. Në rast të mospërputhjes eventuale, mbizotërojnë rregullat e legjislacionit sektorial të BE.
Çfarë duhet bërë që të filloj zbatimi i Direktivës së Shërbimeve?
Zbatimi i Direktivës së Shërbimeve parashikohet me dy lloje të masave:
- Transpozimi i Direktivës së Shërbimeve në legjislacionin kombëtar,
- Përdorimi i masave implementuese jo-legjislative.
Transpozimi i Direktivës së Shërbimeve në sistemin ligjor kombëtar:
Shtetet kanë opsione të ndryshme për transpozim të Direktivës së Shërbimeve. Kjo varet nga sistemi ligjor kombëtar për rregullat kombëtare për transpozim. Disa dispozita mund të transpozohen përmes legjislacionit ekzistues. Kjo ndodh sidomos në rast të skemave të autorizimit. Ato zakonisht rregullohen me ligj për procedurë administrative. Derisa pjesa e Direktivës përcakton parimet e përgjithshme, duhet të prezantohet ligji i ri horizontal. Është shumë e rëndësishme të përfshihen masat mbrojtëse krahas dispozitave të cilat janë lënë anash në procesin e shqyrtimit. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për shërbimet të cilat zhvillohen në të ardhmen dhe janë të rregulluara në nivel kombëtar.
Shtetet duhet të ndryshojnë/plotësojnë edhe legjislacionin i cili përmban kërkesat të cilat Direktiva e Shërbimeve shprehimisht kërkon të shfuqizohen apo ndryshohen/plotësohen. Për të siguruar se është identifikuar legjislacioni i cili do të ndryshohet/plotësohet, qeveria duhet të kryej aktivitetin e shqyrtimit.
Masat jo-legjislative:
Direktiva e Shërbimeve kërkon që shtetet të parashikojnë zgjidhje dhe procedura të duhura. Masat e tilla përfshijnë Pikën e Vetme të Kontaktit.
Cili do të jetë kontributi i Direktivës në lehtësimin e jetës së bizneseve?
Direktiva e Shërbimeve kërkon nga qeveria kombëtare të caktoj një varg parimesh të cilat do të çojnë në thjeshtimin e procedurave administrative. Pika kryesore e masave të tilla është Pika e Vetme e Kontaktit. Ajo do t’u mundësojë ofruesve të shërbimeve të marrin të gjitha informatat e nevojshme për të ofruar shërbime në një shtet të caktuar. Ofruesi i shërbimit duhet të jetë në gjendje të kryej të gjitha procedurat e nevojshme në mënyrë elektronike dhe të merr licencën e kërkuar në mënyrë elektronike. Natyrisht, krijimi i një sistemi të tillë merr kohë dhe mjete. Prandaj, i tërë procesi mund të ndahet në tre hapa. Hapi i parë siguron se PVK përmban të gjitha informatat e rëndësishme mbi kërkesat për ofruesin e shërbimit. I dyti – ofruesi i shërbimit do të mund ta dërgoj atë në mënyrë elektronike. I treti – e tërë procedura përfundon me mjete elektronike.
Çka është Pika e Vetme e Kontaktit?
Pika e Vetme e Kontaktit është ëeb portal, i cili është menduar të jetë bashkëbisedues i vetëm nga këndvështrimi i ofruesit të shërbimit. Nuk do të thotë se qeveria kombëtare duhet të krijoj një organ të vetëm të centralizuar për të ofruar informata të tilla. Mirëpo, ajo duhet të mbetet pikë e vetme nga këndvështrimi i ofruesit të shërbimeve. PVK do të mund të përmbush vetëm rolin koordinues, në mënyrë që vendimi final t’i mbetet organit kompetent kombëtar ekzistues. Do të thotë se vendimin mbi rolin e PVK-së e merr qeveria kombëtare. PVK duhet të mundësoj procedurat pranë organeve kompetente, si në nivel qendror, ashtu edhe vendor, si dhe organizatat tjera profesionale me organet e caktuara publike.



