Ndërroi jetë njeriu që i dha shumë futbollit kosovar
Ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të rëndë, Agim Maloku, njeriu që i dha shumë futbollit kosovar, shkruan zeri.info.
Më poshtë mund ta lexoni telegramin e ngushëllimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në drejtim të familjes së të ndjerit.
“E nderuara familje e Agim Malokut! Me pikëllim e dhembje e morëm lajmin për vdekjen e Agim Malokut, anëtar shumëvjeçar i KE, ndaj me lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve, futbollistëve e futbolldashësve të Kosovës të Ju shprehim ngushëllimet tona më të thella dhe të sinqerta me rastin e vdekjes së njeriut që i dha shumë futbollit të Kosovës. Kontributi i Agim Malokut, ishte i madh dhe i çmueshëm. Ishte shtyllë e fortë e pavarësimit të futbollit të Kosovës dhe nuk u ndalë kurrë deri në frymën e tij të fundit kur sëmundja e rëndë na e mori nga mesi ynë, ndaj të gjithë ne do ta kujtojmë përherë figurën dhe veprën e tij dhe për brezat që vijnë do të jetë shembull i njeriut të dashur, punëtorit të vyeshëm, të palodhshëm dhe të papërkulshëm nëpër sfida. Në këto momente të dhembjes tuaj jemi pranë jush që të përballoni më lehtë dhembjen për më të dashurin tuaj. Me respekt, Fadil Vokrri, president i FFK-së”.




