LDK harron deklaratat kundër SHIK’ut, asnjë fjalë kundër Pronto II

LDK harron deklaratat kundër SHIK’ut, asnjë fjalë kundër Pronto II

Megjithëse në vitin 2014, Isa Mustafa kishte deklaruar se Kosova mund të funksionojë si një shtet ligjor, vetëm duke përjashtuar figurat e SHIK’ut nga qeverisja, po i njëjti sot është në koalicion me figurat e SHIK’ut.

Duke përjashtuar këtë fakt, zyrtarë të LDK’së sot vazhdojnë të mbrojnë koalicionin me PDK’në, sidomos në ditët e fundit kur flitet për përgjimet e publikuara të zyrtarëve të kësaj partie e ku përfshihen edhe zyrtarë të SHIK’ut.

Nga përgjimet e publikuara deri më tani, vërehet se si krerë të PDK’së kontrollojnë në detaje çdo konkurs për punësim, që nga ‘vendet më të vogla’ e deri në ato ku flitet për tenderë milionësh.

Ajo që mbetet e habitshme, sot, nuk është koalicioni PDK-LDK, sepse kjo habi është ‘tejkaluar’ tashmë, por habia mbetet se si zyrtarë të LDK’së vazhdojnë të avokojnë figurat e përfshira në përgjime, më shumë se sa vetë zyrtarët e PDK’së.

Para pak ditësh, ishte Shefki Gashi ai që deklaronte se ‘është normale punësimi i njerëzve’, një përsëritje e deklaratës së Adem Grabovcit.

Madje, Shefki Gashi, jep edhe një deklaratë të ‘ndjeshme’ në arsyetimin për Pronto 2, duke thënë se ‘është e drejtë humanitare të punësohen njerëz’.

Ndërkohë, i fundit që distancohet nga ndonjë kritikë eventuale për Pronto 2, është Bajram Gecaj, i cili thotë se ‘me këtë çështje duhet të merret Prokuroria’, derisa kur flet për Qeverinë në të cilën edhe ai është pjesë e saj, të bën të mendosh sikur PDK’ja nuk është pjesë e qeverisjes./Periskopi/

 

Shpërndaje në: