Zyrtare: Salihi bëhet me skuadër të re
Hamdi Salihi është kthyer përsëri në kampionatin ku ka kaluar disa nga vitet më të suksesshme të karrierës së tij, atë austriak.
Drejtori sportiv i klubit austriak, Andreas Shiker, ka treguar për mediat në këtë vend se marrëveshja mes palëve është thuajse e mbyllur, por ka një detaj që duhet saktësuar, atë të dënimit që mori sulmuesi në ndeshjen me Kukësin.
“Ai mund të shënojë përsëri me rregullsi. I ka pëlqyer shumë koha që kaloi këtu në Vjenë dhe dëshironte që të kthehej bashkë me familjen e tij. Unë mësova për një gjë të tillë nga miqtë e mi dhe po e kërkoja prej disa javësh”, tregoi Shiker,.
Klubi austriak duket i bindur se mund të anashkalojë dënimin me 10 ndeshje pezullim që i janë dhënë sulmuesit nga Komisioni i Disiplinës. “Ai dënim do të vlejë vetëm për Shqipërinë. Këtë çështje do ta çojmë për shqyrtim para Federatës Austriake”, tha drejtuesi i klubit të ri të sulmuesit shqiptar.
Salihi ka qenë një nga yjet e kampionatit austriak në të kaluarën, duke veshur fanellën e Ried (2007-2009) dhe Rapid Vjenë (2009-2012). Ai ka shënuar 53 gola me fanellën e Ried dhe 38 gola me atë të Rapid Vjenës gjatë viteve të tij në Austri.



