Komuna e Ferizajt rikthen në punë të dënuarin për marrje të ryshfetit (Video)
Komuna e Ferizajt ka rikthyer në vendin e tij të punës përgjegjësin për mbrojtjen e pyjeve në Drejtorinë për Bujqësi dhe Pylltari në Komunën e Ferizajt, Muhamet Kalanica, ani pse i njëjti dy herë është shpallur fajtor për marrje ryshfeti nga Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda. Kalanica është rikthyer në vendin e tij të punës me vendim të Komisionit disiplinor.
Herën e parë ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 3 muaj, i cili dënim konform nenit 38 par.3 të KPK-së i zëvendësohet me dënim me gjobë, në lartësi prej një mijë euro. Herën e dytë është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 6 muaj dhe me dënim me gjobë prej 400 euro.
Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare AVONET, Kenan Gashi, ka thënë se kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me atë që Komuna e Ferizajt ka rikthyer në punë zyrtarin i cili është dënuar dy herë për marrje ryshfeti.
Këtë veprim të Komunës së Ferizajt, Gashi, e quan si shumë shqetësuese për faktin se edhe organizatat ndërkombëtare vazhdimisht i bëjnë presion Kosovës që të bëjë parandalimin dhe luftimin e zyrtarëve të tillë.
Ndërsa, Gazmend Bytyqi, shef i grupit të PDK-së në Asamblenë komunale në Ferizaj, për KosovaPress ka thënë se nuk është hera e parë që Komuna e Ferizajt funksionon me këtë mentalitet sidomos me shkeljen e ligjit.
Bytyqi tha se kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për këtë çështje gjatë seancave të kuvendit komunal.
KossovaPress ka provuar të marrë një qëndrim të kryetarit të Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, por i cili nuk ka pranuar të flas para kamerës. Po i njëjti ka thënë se ai nuk e ka kthyer në punë këtë zyrtar por komisioni./KosovaPress/



