Uzurpatorët pa kulm mbi kokë
Shumë banorë të Prishtinës, që nga paslufta janë vendosur në kryeqytet, në banesa të cilat as nuk i kanë blerë, e as trashëguar nga ndokush.
Por lidhur me këtë çështje tashmë është duke u zhvilluar aksioni për largimin e uzurpatorëve në komunën e Prishtinës.
Megjithatë, ata nuk e kanë ndërmend të heqin dorë. Madje kanë kërcënuar se do t’i mbrojnë edhe me forcë. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Fjala, drejtori i ndërmarrjes banesore, Nexhat Kryeziu.
Ai ka thënë se numri i banesave të uzurpuara në listën formale që posedon kjo ndërmarrje është 170, të cilat shfrytëzohen në mënyrë të jashtëligjshme nga banorët e vendosur në to.
“Kjo çështje është që nga viti 2005, dhe tash ka ardhur koha kur Gjykata së bashku me neve janë duke e ekzekutuar urdhrin përmbarimor. Probleme po kemi për shkak se banorët pretendojnë ju takon banesa në të cilat ata janë vendosur pas luftës. Ata në bazë të ligjit në Kosovë janë uzurpator”, ka thënë Kryeziu për Gazetën Fjala.
Kryeziu thotë se banorët e atyre banesave nuk kanë paguar asnjë cent ndërrmarrjes publike si qera, për banesat që ata i shfrytëzojnë.
“Ata persona nuk i kanë paguar asnjë cent ndërmarrjes publike. Secili që në mënyrë të paligjshme e ka shfrytëzuar banesën duhet ta liroj atë”, ka thënë Kryeziu.
Ai thotë se disa herë ka marrë kërcënime nga banorët e atyre banesave duke thënë se nuk do ti lirojnë ato, dhe se rastet do të zgjidhen edhe me forcë për ta mbrojtur pragun e shtëpisë.
Ndërkohë që ai tha se shpreson që edhe gjykata të bëjë tolerime për familjet që janë në gjendje sociale.
“Para dy ditëve pata një takim me përfaqësuesit e këtyre banorëve, ku njëri nga ta më tha se edhe em forcë do ta mbrojnë pragun e shtëpisë. Por ne jemi të vendosur që ta kryejmë punën sipas detyrës zyrtare. Ne nuk kemi asgjë personale në këtë rastë. Qasje pozitive ne do të kemi vetëm në rastet sociale. Ato në bashkëpunim me komunën nuk besoj që ne ose gjykata kërkon ti largojmë e ti qesim në rrugë. Në rastet e tjera nuk do të ketë tolerime.”, ka thënë.
Banorët ankohen në Gjykatën Themelore
Ndërkohë që banorët e pallatitit 9/4 në komunën e Prishtinës kanë dërguar ankesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Ata po kërkojnë nga komuna e Prishtinës që t’u lejoj që të qëndrojnë në banesat në të vilat janë vendosur që nga paslufta e vitit 1999.
Në vendimin që banorët e i kanë dërguar gjykatës thuhet se banorët do të refuzojnë forcërisht cdo tentativë të largimit të tyre nga banesat, pa e pas një vendim nga ana e Kuvendit të Kosovës.





