Punësimet në Radio Kosova, Ridvan Berisha rehaton familjaren pa konkurs

Punësimet në Radio Kosova, Ridvan Berisha rehaton familjaren pa konkurs

Keqmenaxhimi, politikat e influencuara redaktoriale nga partitë politike, punësimet familjare e numri i madh i punëtorëve, janë vetëm disa prej problemeve më të mëdha me të cilat përballet transmetuesi publik.

Kryeredaktori i RTK3 dhe autori i emisionit “Debat” në RTK, Ridvan Berisha ka shfrytëzuar pozitën e tij në transmetuesin publik për të punësuar si gazetare në Radio Kosova familjaren e tij, konkretisht kunatën (gruan e vëllait), Kosovare Gashi Berisha.

Periskopit, punësimin pa konkurs të kunatës së Berishës, ia kanë konfirmuar burime brenda RTK-së dhe aplikantë të pakënaqur, të cilët kanë synuar punësimin në Radio Kosova.

Sipas informacioneve që ka siguruar Periskopi, pa konkurs kanë filluar punën që nga 1 korriku Kosovare Gashi Berisha dhe Drita Vitia, përkundër faktit që ishte shpallur një konkurs më 1 mars dhe ishin punësuar tre gazetarë që nga 1 qershori.

Portali mëson se Gashi Berisha e Vitia janë punësuar në RTK me rekomandim të Ridvan Berishës e Rrahman Paçarizit. Ky i fundit ka shfrytëzuar ndikimin e tij si ish-drejtor i Bordit të Drejtorëve të RTK-së në punësimin pa konkurs të Drita Vitijës.

Të interesuarit për punë në Radio Kosova, që thonë se u është bërë padrejtësi në punësim, në kushte anonimiteti i kanë thënë Periskopit se e kanë parë të pamundur ta parandalojnë punësimin me intervenca të të dy gazetareve të reja të Radio Kosovës. /Periskopi/

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: