Reperi që kërkon para për intervista, kopjon “Despacito”-n (Video)
Video-spoti i këngës më të klikuar në kanalin e internetit Youtube për vitin 2017, me mbi dy miliardë shikime – me titull “Despacito” dhe e kënduar nga dy këngëtarët latin, Luis Fonsi dhe Daddy Yankee – duket se ka qenë burim inspirimi për reperin Genc Prelvukaj.
Reperi nga Prishtina, i cili një ditë më parë u bë objekt diskutimi pasi deklaroi se nuk jep më intervista për mediume të vogla pa u paguar, publikoi sot këngën e tij të re “Hello“, e cila erdhi në bashkëpunim me këngëtarin e ri të skenës kosovare të muzikës, Blake.
Por, më shumë se fakti që Prelvukajt bashkëpunoi me Blake, tek krijimi i fundit i Gencit vëmendje më të madhe mori ngjashmëria e madhe ndërmjet spoteve të këngëve “Hello” dhe “Despacito”.
Videoklipin e këngës “Hello” e ka realizuar kompania “Black Fish Entertainment“, e cila udhëhiqet nga vet reperi.
Ambienti ku është realizuar video-spoti, pjesërisht koreografia, ngjyrat e videos dhe interpretimi i dy artistëve kosovarë, është kopjuar nga kënga më e klikuar e vitit 2017 në Youtube – “Despacito”.

Një nga dallimet e vetme mes “Hello” dhe “Despacito” është se skena e kopjuar nga “Black Fish Entertainment” zhvillohet gjatë tërë videos, derisa e njëjta pjesë në “Despacito” zhvillohet gjatë pjesës së dytë të videoklipit.
Në mungesë të kreativitetit, kompania e produksionit që është themeluar nga Prelvukaj, ka kopjuar edhe disa objekte të vendosura në videospotin e këngës “Despacito”: siç janë bateritë.

E reperi që kopjoi pjesërisht video-spotin e “Despacitos”, vetëm një ditë më parë, në një bisedë në emisionin “Summer Labi” në KTV deklaroi se i ka ndërprerë intervistat, derisa po jepte intervistë.
Prelvukaj tha se nëse mediumet e vogla duhet t’i paguajnë këngëtarët e famshëm, sikurse ai, nëse duan të realizojnë intervista.

“Genci ka thënë se së fundmi i ka ndërprerë intervistat dhe mendon se nëse ndonjë medie jo shumë e njohur dëshiron të bëjë intervistë me ndonjë nga artistët me famë, atëherë duhet të paguajnë”, citohet të ketë thënë Prelvukaj, nga Koha.net. /Insajderi.com
Video-spoti i këngës së Genc Prelvukajt në bashkëpunim me Blake:
Video-spoti i këngës së Luis Fonsit dhe Daddy Yankee:



