“Po të kishte mundësi, Thaçi do ta arrestonte gjithë opozitën”

“Po të kishte mundësi, Thaçi do ta arrestonte gjithë opozitën”

Presidenti i vendit Hashim Thaçi në një intervistë për  gazetën “Zëri”  në lidhje me çështjet aktuale në vend ka thënë se sulmet me bomba drejt institucioneve të vendit  prekin vijën e kuqe të terrorizmit, por ka refuzuar të japë ndonjë përgjigje rreth publikimit të përgjimeve të zyrtarëve të lartë të PDK-së, ku përfshihet edhe vetë ai.

Në lidhje me këto deklarata të Thaçit Periskopi ka kontaktuar partitë opozitare në vend.

Përfaqësues të Vetëvendosjes dhe të Nismës për Kosovës, deklaratat e Thaçit i konsiderojnë si shmangie nga përgjegjësia për aferën “Pronto 2”, rrjedhimisht edhe krimet që kanë të bëjnë me të.

Sekretari i Nismës për Kosovës, Bilall Sherifi duke komentuar të thënat e Thaçit, presidentin e ka cilësuar si person që hedh gurin dhe fsheh dorën, derisa sipas tij, aludimet e presidentit për të bërë lidhjen mes bombave dhe opozitës janë politike dhe pa fakte konkrete.

“Logjika e hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës është e njohur në Kosovë! Thënia se ‘sulmet me bomba prekin vijën e kuqe të terrorizmit’ nuk ka kurrfarë kuptimi logjik. Nuk ka dyshim se sulmet me Zola dhe me granata janë akte të pastra të terrorizmit. Ajo që duhet të sqarohet sa më parë në këtë situatë ka të bëjë me faktin se kush qëndron prapa këtyre akteve terroriste. Akuzat drejtuar opozitës janë akuza politike dhe nuk kanë asnjë fakt konkret ku mbështetet. Për këtë arsye, akuzat e tilla janë në funksion të zhvendosjes së vëmendjes nga problemi real i shkaktuar me marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi në problemin e terrorizmit”, ka thënë Sherifi.

Sherifi gjithashtu ka shtuar se secili qytetar që ka përcjell debatin në Kuvendin e Kosovës është bindur se përpos njerëzve të implikuar në krimin më të rëndë që përbën dhënia e territorit të Kosovës një shteti tjetër,  askush, pa marrë parasysh përkatësinë partiake, nuk e mbështeti Marrëveshjen e nënshkruar nga Thaçi.

Sipas tij, ekspertët e pavarur, që për një kohë kanë qenë edhe këshilltarë të ministrive të ndryshme të qeverisë, sollën argumente që asnjë logjikë e shëndoshë nuk mund ta kontestojë.

Ai ka theksuar se kur Thaçi flet për opozitën merr rolin e organeve të drejtësisë, duke shtuar se po t’i jepej mundësia ai do ta arrestonte gjithë opozitën.

“Përmes aksioneve terroriste duhej të hiqej vëmendja e opinionit publik nga realiteti i tradhtisë që i përgatitet Kosovës. Nuk është hera e parë që kur flet për opozitën Thaçi merr rolin edhe të policit edhe të prokurorit edhe të gjykatësit.  Ai po të kishte mundësi vet do ta arrestonte opozitën, vet do t’ia përpilonte aktakuzën dhe në fund vet edhe do ta gjykonte. Sa herë që atij i ka shpërthyer një skandal ai gjithnjë ka bërë përpjekje që përmes shpikjes së problemeve të paqena, skandalet e tij t’i paraqesë si një e keqe shumë e vogël në krahasim me të këqijat që vendit i sjellin veprimet e të tjerëve”, ka shtuar ai.

Ai  ka kërkuar që Thaçi të marrë përgjegjësi për implikimin e drejtpërdrejtë në skandalet që kanë shpërthyer nga afera e përgjimeve dhe të ndërpresë logjikën e “ngrënies së kokave” duke i lënë të vetëm vartësit e tij të përballen me pasojat e veprimeve të përbashkëta dhe së paku njëherë të marrë përgjegjësi për veprimet e tij.

Ndërsa, zëdhënësi i VV-së, Frashër Krasniqi ka thënë për Periskopin se presidenti këmbëngul që sulmet t’i lidhë me opozitën, por sipas tij ai do të jetë përgjegjës për veprimet e ndërmarra në dëm të shtetit.

“Presidenti Thaçi gjithnjë parapëlqen të flasë për tema që s’përkojnë me të vërtetën për të, pra si një njeri i zhytur apo i fundosur në krim e korrupsion, me një fjalë si organizator i një aktiviteti kriminal, antishtetëror e antikombëtar. Ai është i gatshëm të gjejë autorët e sulmeve me bomba nëpër institucione, ndonëse Prokuroria e Policia ende s’kanë dalë më të dhëna në lidhje me rastin, sepse nuk ka guxim të përballet me përgjimet që zbardhin të vërtetën e tij – si një nga kokat e krimit. Ai do të këmbëngul që fajin mbi sulmet ta lidhë me opozitën, por Lëvizja VETËVENDOSJE! si subjekti më i madh opozitar, i sjellë në vëmendje këtij presidenti të kontrabanduar, se herët a vonë, ai do të jetë përgjegjës për gjithë aktivitetin e tij të dëmshëm për këtë vend”, është shprehur Krasniqi.

Ndërkaq,Periskopi ka tentuar që ta marrë një koment të deklaratave të Thaçit edhe nga sekretari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, por kontakti me të ka qenë i pamundur. /Periskopi/

Shpërndaje në: