Si u lirua në sallën e gjyqit “baroni” shqiptar i drogës
Zhurma e arrestimit ia la vendin në pak orë lirimit të tij të menjëhershëm nga gjykata.
Për prangosjen e 45 –vjeçarit Alket Hatija u shkruajt gjatë nga mediat italiane.
Agjencia e lajmeve ANSA e quajti si “baroni” i drogës dhe publikoi të dhëna për dënimin e tij me 20 vjet burg nga gjykata e Milanos në shtator të vitit 2015 për trafik ndërkombëtar të heroinës dhe kokainës.
Ai u kap më 8 korrik për llogari të italianëve, me qëllim ekstradimin.
Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës e la të lirë më 11 korrik. Arsyetimi? Nuk ka kërkesë për ekstradim.
Prokurori i çështjes argumentoi se kishte një udhër – arresti dhe Hatija duhet të qëndronte në burg për 40 ditë, në pritje të kërkesës së ekstradimit.
Por gjykata nuk e pranoi. Ajo e la të lirë 45 –vjeçarin, në gjurmët e të cilit autoritetet italiane po binin pas 2 vjet kërkimesh.
Prokuroria do ta apelojë vendimin, por ndërkohë Hatija është i lirë.
Hatija u arrestua në Durrës, teksa po shkonte të takonte një mikun e tij.
Ai jetonte i izoluar, në një shtëpi që kishte lidhje me një bunker dhe mësohet se kishte paguar edhe njerëz të armatosur që ta ruanin.
Sipas mediave italiane, ai u dënua nën akuzën se në periudhën 2003 – 2004 kishte trafikuar 350 kilogram heroinë dhe 190 kilogram kokainë në Milano. Vlera e drogës përllogaritet me 35 dhe 45 milionë euro.
Ai ishte organizatori i trafikut dhe nuk kishte asnjëherë kontakt me drogën, por gjithçka e kryente nëpërmjet telefonit. /Lapsi.al





