Vie dorëheqja e parë te Prishtina, i pakënaqur me largimet
Pas largimit të disa prej lojtarëve kryesorë që bartën barrën e skuadrës në vitet e fundit, vjen edhe dorëheqja e nënkryetarit të FC Prishtina, Ismet Begolli.
Biznesmeni që dha shumë për klubin më të madh në vend, ka dhënë sot dorëheqje, i pakënaqur me rrethanat e fundit të krijuara në klub.
“Kam dhënë dorëheqje pasi nuk pajtohem me politikën e klubit dhe me rrethanat e fundit që janë krijuar. Kjo është e papranueshme”, ka deklaruar Ismet Begolli për Gazetën Olle.
Ai është pjesë e Prishtinës prej vitesh, derisa vlerësohej gjithmonë njeriu që dha më së shumti financiarisht për klubin.
Begolli vitin e kaluar u zgjodh nga Bordi nënkryetar, kurse më herët ishte anëtar i Bordit. Ai është edhe aksionar.
Ditëve të fundit klubi ka larguar një mori lojtarësh, disa prej të cilëve ishin pjesë e klubit prej shumë vitesh, madje edhe titullar.



