‘Vetëm javët e fundit janë punësuar dhjetëra persona në RTK’
Sindikata e Pavarur e RTK-së përmes një njoftimi të sotshëm për medie reagon ndaj punësimeve të pakontrolluara që po ndodhin në RTK. Vetëm javëve të fundit janë punësuar me dhjetëra persona, madje në disa raste pa konkurs, përfshirë familjarë të stafit udhëheqës të RTK-së dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
Me këtë veprim, menaxhmenti i RTK-së vazhdon të shpërfillë rekomandimet e Auditorit të përgjithshëm, për mospunësime të reja për shkak të gjendjes së vështirë financiare të transmetuesit publik, përfshirë borxhet milionëshe.
SPRTK u bën apel deputetëve të posazgjedhur të Kuvendit të Kosovës, që të ngrenë zërin kundër punësimeve pa mbulesë financiare, të cilat po e çojnë RTK drejt falimentimit.
Sindikata gjithashtu fton Inspektoratin e Punës që të bëjë hetimin e këtyre punësimeve.
Kryesia e Sindikatës, në ditët në vijim do të vendosë për hapat e mëtutjeshëm të kundërshtimit të këtyre veprimeve, përfundon reagimi i nënshkruar nga kryetari i SPRTK-së, Fadil B.Hoxha.



