Nënë Tereza sot e Shenjtë: Një jetë në shërbim të të varfërve
Kur të kenë rënë kambanat në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan ‘shenjtorja e të varfërve’ në Kalkutë, Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, do të shpallet edhe zyrtarisht e shenjtë, nga Kisha Romano Katolike. Papa Françesku, në një ceremoni që pritet të mbledhë mbi 100 mijë njerëz në Sheshin e Shën Pjetrit, do të kanonizojë Nënën Terezë, fituesen e Çmimit Nobel të Paqes, murgeshën shqiptare që çoi jetën në ndihmë të “më të varfërve nga të varfërit” dhe krijuesen e Urdhrit Misionarët e Bamirësisë.
Vatikan- Nëntëmbëdhjetë vjet pas vdekjes, Nënë Tereza do të shenjtërohet sot nga Papa Françesku në Vatikan. Ajo do të thirret Shën Tereza, një titull ky i merituar për një shqiptare që gjithë jetën e saj e vuri në shërbim të të varfërve, jetimëve dhe të sëmurëve.
Në ceremonitë e shenjtërimit e cila do të mbahet në orën 10:30 në sheshin “Shën Pietri” do të marrin pjesë 13 krerë shtetesh e qeverish.
Edhe Kreu i Shtetit shqiptar, Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani dhe në krye të delegacionit zyrtar, ndodhet në Vatikan për të marrë pjesë në ceremonitë që do të organizohen me rastin e Shenjtërimit të Nënë Terezës nga Papa Françesku.
Për arsye të rrënjëve të saj, Nënë Tereza bën krenarë shumë shqiptarë, të cilët pritet të marrin pjesë masive në ceremonitë e Vatikanit.
Ceremonia e Shenjtërimit të Nënës Tereze si dhe mesha e Festës së Shenjtores Terezë, do të transmetohet direkt nga qendra televizive e Vatikanit, si dhe nga 120 televizione të ndryshme në botë, përfshirë edhe televizionet nga Shqipëria dhe Kosova.
Janë 600 gazetarë e 125 korrespondentë televizivë të akredituar për të ndjekur këtë ngjarje të madhe.
Gjithashtu, ceremonia mund të ndiqet me live stream në kanalin në YouTube te qendrës televizive të Vatikanit.
Por cila ishte Nënë Tereza dhe përse bota po i kushton asaj kaq shumë vëmendje?
Agnesë Gonxhe Bojaxhiu lindi në vitin 1910, në një familje shqiptare (prindërit e lindur në Kosovën e sotme), në Shkup.
Rrugëtimin si murgeshë e nisi në Kishën e Letnicës në Kosovë, në moshën 17-vjeçare.
Dy vjet më vonë udhëtoi drejt Indisë ku krijoi urdhrin e saj Misionaret e Bamirësisë, i cili edhe sot udhëheq shtëpi për fëmijë të braktisur, njerëz të varfër dhe të sëmurë.
Papa Françesku ka njohur zyrtarisht dy mrekulli, që besohet se janë vepër e Nënë Terezës dhe që i hapën asaj rrugën për t’u bërë shenjtore.
Në vitin 2008, u bë e ditur se ajo kishte shëruar një brazilian, i cili vuante nga disa tumore të trurit.
Marcilio Haddad Andrino thotë se mjekët nuk i kishin dhënë asnjë shpresë për të jetuar, por gruaja e tij Fernanda vazhdimisht lutej për të dhe beson se ishte ndërhyrja e Nënë Terezës që ai të shërohej kur ishte nën kujdesin intensiv.
Prifti kanadez Brian Kolodiejçuk, kryesoi përpjekjet që Nënë Tereza të bëhej shenjtore.
Ai thotë se kanonizimi i Nënë Terezës është njohja e faktit se ajo jo vetëm që e zhyti veten në varfërinë materiale të të varfërve, por edhe në varfërinë shpirtërore të atyre që ndiheshin të braktisur.



