Ballist Morina dhe shteti shqiptar
Ballist Morina, tifozi simbol i futbollit shqiptar, është arrestuar në Kroaci për llogari të autoriteteve serbe të drejtësisë me qëllim ekstradimin e tij drejt këtij vendi. Një histori kjo që përsëritet, pavarësisht se me personazhe që nuk kanë përmasa të njëjta. Por që të përbashkët në simbolikën e tyre kanë shqiptarinë. Fillimisht Ramush Haradinaj dhe tani Ballist Morina. Goditja është e njëjtë dhe vendi që e organizon po ashtu. Por shqetësimi nuk është ky. Institucionet, të cilat po reagojnë ndaj këtij akti, kanë zënë radhën se kush e kush të bërtasë më fortë e të marrë poza.
Por sidomos të fitojë reputacion nga ata që e mbështesin Morinën si simbol. Pra protagonizëm patriotik në sytë e publikut. Reagime që jo vetëm tregojnë amatorizëm, por më shumë shkaktojnë kaos. Kryeson ministri i Brendshëm teknik, i cili sipas mediave ka thirrur ambasadoren kroate në Tiranë për këtë problem dhe është në kontakt të përhershëm me autoritetet kroate. Por, me cilat autoritete? Kroacia është një shtet anëtar i Bashkimit Europian dhe Ministria e Brendshme, së bashku me Policinë, e kanë përfunduar misionin e tyre për këtë problem që në momentin e arrestimit të tij për qëllim ekstradimi. Çështja është në duart e një institucioni tjetër që, në kuadrin e ndarjes së pushteteve, ka totalisht pavarësi në marrjen e vendimeve.
Ministria e Brendshme apo Policia nuk kanë asnjë lloj tagri për të ndërhyrë apo për të ndryshuar qëndrimin e këtij institucioni. Pra gjithçka është në çmimin e gjykatës dhe ajo e shkallës së parë ka mbaruar punë. Madje, ky ministër nuk ka as mandat politik që deri diku të justifikojë interesimin. E njëjta gjë ndodhi edhe me një ministër tjetër para tij në rastin Haradinajt, por pavarësisht nga gjithçka, ai mund të justifikohej se kishte mandatin e një të zgjedhuri të popullit shqiptar.
Për të mos humbur tifozërinë, edhe Federata e Futbollit nxjerr një njoftim sipas të cilit presidenti i saj Duka është në kontakt me Kryeministrin për çështjen e tifozit në fjalë. Dhe njoftimin e jep FSHFja, jo Kryeministria. Qëllimi nuk është Morina. Por qetësimi i tifozërisë. Minimalisht nëse FSHF-ja është kaq shumë e interesuar, nëpërmjet qeverisë, të gjejë të paktën rrugët dhe mundësitë financiare për të asistuar nga avokatë të njohur tifozin simbol. Reagimi i mundshëm më vend është ai i Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë ( njëlloj si në rastin Haradinaj).
Në procesin e ekstradimit pas vendimeve të të gjitha shkallëve të gjyqësorit, Ministria e Drejtësisë është hallka e mëpasshme e tij. Dhe është fare normale që ministri ynë i Drejtësisë t’i drejtohet homologut të tij kroat. Por ajo që shkëlqen me mungesën e saj është Ministria e Jashtme.
Ky institucion i jep dorën e fundit çdo rasti ekstradimi. Ambasada jonë në Kroaci e ka për detyrim interesimin për çdo shtetas shqiptar që burgoset në vendin ku ndodhet. E ka për detyrë të ndjekë trajtimin njerëzor dhe ligjor të shtetasve të saj. Ndoshta ajo e ka bërë interesimin e saj pa e bërë publik.
Pra deri tani, me përjashtim të Ministrisë se Drejtësisë si organ i duhur kompetent,publikisht nuk ka reagime të institucioneve të tjera kompetente. Ndërkohë që, si për ironi, në gjithë mediat pasqyrohet reagimi zyrtar i Ministrisë së Jashtme greke dhe e Presidentit të saj për disa shtëpi që po prishen në Dhërmi. Duket qartë se vendet tona fqinje, me apo pa të drejtë, këto probleme i trajtojnë me mekanizmat e duhur ligjorë dhe institucionalë.
Nga vendi ynë të gjithë flasin, të gjithë reagojnë, me përjashtim të autoriteteve kompetente. Dhe e gjitha kjo nuk është veçse njëra anë e medaljes. Për Ballist Morinën, autoritetet e Beogradit hetuan dhe konkluduan për fajësinë e mundshme të tij.
Institucionalisht këtij problemi i dhanë përmasa ndërkombëtare (njëlloj si rasti Haradinaj). Mund të themi ç’të duam, por ato punën e tyre e bënë. Për ngjarjet që akuzohet Morina u ndërpre një ndeshje dhe autoritetet e futbollit botëror i dhanë 3 pikë Shqipërisë. Pra nga ana administrative u vërtetua se mbi futbollistët tanë ishte ushtruar dhunë.
Pavarësisht nga ajo që mund të kenë bërë autoritetet serbe, natyrshëm lind pyetja: a kryen autoritetet kompetente shqiptare veprime administrative kundër tifozëve ultras serbë? Kush ishin ata që ushtruan dhunë? Askush në Shqipëri nuk di gjë. Por Ballist Morinën e arrestuan. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për revansh, nacionalizëm apo reciprocitet, por për ligj dhe vullnet në zbatimin e tij. Në tetor të viti 2010, në ndeshjen Itali-Serbi, ultrasi serb Ivan Bogdanov, dogji në sytë e gjithë botës flamurin shqiptar. Fyerja nuk ka ku të shkojë më larg. Edhe nëse shteti italian e dënoi për këtë veprim, shteti shqiptar ka masa të tjera me natyrë administrative që mund të ndërmarrë kundër tij dhe elementëve të eksituar të tifozërisë në rastin konkret serb dhe të vendeve të tjera fqinje.
Kur më datën 08.02.2017, një 17-vjeçar shqiptar në “Gaios Paxon”, Parga, Greqi, bëri simbolin e shqiponjës dykrenare mbi një stekë të flamurit grek, autoritetet gjyqësore greke e dëbuan nga territori i këtij vendi me motivacionin “ fyerje ndaj simbolit kombëtar” dhe e shpallën “të padëshiruar”. Mirë apo gabim, është një autoritet gjyqësor që e mori vendimin.
Pra vendet tona fqinje e kanë shumë seriozisht me simbolet e tyre. Nëse do të numëroheshin rastet do të ishin të shumta, por ajo që ka rëndësi dhe që për fat të keq nuk funksionon janë institucionet kompetente shqiptare të cilat nuk kryejnë punën e tyre. Nëse nuk e kanë mundësinë për ndjekjen penale të personave që në territore të huaja dëmtojnë interesat e Shqipërisë, shqiptarëve apo përdhosin simbolet kombëtare të saj, t’i shpallin ata “ të padëshirueshëm” dhe mos të lejohen të hyjnë në Shqipëri ( pak rëndësi ka nëse hyjnë apo jo). Ligji shqiptar është i plotë për këtë drejtim.
Ai i ka të qarta institucionet që duhet të koordinojnë punën për këto raste. Madje, ky ligj është i ndjekur nga akte nënligjore e procedura standarde. ( Neni 9 –Personat e padëshiruar- i ligjit 108/3013 “ Për të huajt”). Aktualisht, nga kategoritë e përshkruara më sipër autoritetet tona kanë shpallur “të padëshiruar” vetëm dy persona në vitin 2015. (Do të mjaftonin krerët e ndonjë partie neonaziste në rajon apo dhe ultrasit e vendeve fqinje për të bërë një listë jo të vogël.)
Ndërkohë që fyerjet ndaj Shqipërisë, tërësisë së saj territoriale, simboleve kombëtare nga jashtë, dhe madje edhe nga brenda territorit shqiptar, nuk kanë munguar. Asnjëherë mekanizmat administrativë e ligjorë nuk futen në punë, megjithëse për këto çështje madhore e delikate legjislacioni është i plotë. Dhe në mos qoftë i tillë, të pasurohet.



