Një përgjigjje kritikëve të Nanës Terezë
Një prej ngjarjeve më të bujshme në Huffington Post këtë javë, ishte studimi i akademikëve kanadezë lidhur me Nanën Terezë, që pretendon se “ajo ishte gjithçka tjetër veç e shenjtë jo.”
Kjo nuk është diçka e re: Nanë Tereza gjithmonë i ka pasur kritikët e saj, më të ashprin prej të cilëve, Christopher Hitchensin, që shkoi aq larg sa të përgatiste një dokumentar për të, të cilin e quajti “Engjëlli i ferrit.”
E di se të gjithë njerëzit e mëdhenj të kësaj bote i kanë parë emrat e tyre të përmendur për mazamakeq në jetën e tyre. Jam e bindur se Nanës Terezë nuk do t’i kishte “hangër palla” për këto kritika, sepse kishte shumë gjëra më të mëdha për të bërë. Ama, megjithatë mua më duhet ta shkruaj këtë postim, sepse nëse publikohet diçka e keqe për Nanën Terezë, duhet të publikohet edhe diçka e mirë.
Unë jam e pagëzuar, mirëpo nuk e konsideroj veten katolike nga feja, por vetëm nga kultura. Prandaj, nuk e adhuroj e çmoj Nanën Terezë sepse është e shenjtë, por sepse mendoj se ishte njeri i jashtëzakonshëm. Unë kam marrë pjesë si vullnetare dy herë me motrat e Misionit të Bamirësisë në Kalkutë (Calcutta) dhe në Kuzko (Cuzco). Kësisoj, unë kam qenë në gjendje të provoj drejtpërdrejtë punën e këtyre grave që ndjekin shembullin e Nanës Terezë.
Fillimisht, më duhet të saktësoj një arsye të thjeshtë dhe fundamentale pse e shoh kritikën ndaj Nanës Terezë, skajshëm të zorshme për t’u kapërdirë: kush jemi ne, të ulur në zyret apo shtëpitë tona komode, të fshehur pas librash e kompjuterësh, që të kritikojmë një grua që braktisi gjithçka për të kaluar jetën e saj, në një botë të harruar? Ditën që dikush do të bëj një jetë të ngjashme me Nënën Terezë dhe prapë të kritikojë mënyrën sesi ajo veproi, atëherë do ta respektoj atë mendim. Por, ajo ditë nuk ka ardhur.
Në mënyrë që të mbajmë njëfarë rrjedhe në një temë që duket se mund të shpaloset pafund, unë do të adresojë dy prej kritikave më të fundit ndaj Nënës Terezë, që i bashkojnë studiuesit kanadezë me Hitchensin e ndjerë: mënyra sesi u kujdes për të sëmurët, dhe kundërshtimi i saj ndaj abortit dhe kondomëve (masave mbrojtëse për të bërë seks). Do të them pse, me mendimin dhe përvojën time modeste, ata janë gabim dhe po ia huqin krejtësisht.
Mënyra si u kujdes ajo për të sëmurët
Të sëmurët nuk e marrin kujdesin adekuat, pavarësisht parave që mblidhen nga donacionet për bamirësi çdo vit: kjo ka qenë një kritikë e vazhdueshme për Misionaret e Bamirësisë. Përgjigjje e shkurtë: ato kujdesen përshtatshëm, por edhe kur nuk e bëjnë këtë, më vjen keq nëse tingëllon vrazhdë për disa, por edhe kjo është më mirë se të vdesësh në rrugë.
E para gjë që më është thënë nga motrat në Kalkutë ishte që nëse nuk pajtohemi me mënyrën sesi bëhet puna, nuk mund të ndihmoni. Dhe kishin plotësisht të drejtë. Tekefundit, ne ishim aty për një kohë të shkurtë ndërsa ato e kishin përditshmëri. Ato nuk mund të ndryshonin nga këshillat e të tjerëve që thuhen me përdorimin e fjalëve të mëdha si “sjellje të njerëzishme” apo “ndihmë të vërtetë për skamnorët,” kur pas disa javësh do të iknin nga fëlliqësia e Kalkutës për në shtëpitë e tyre komode.
Po është e vërtetë, Nana Terezë ishte katolike dhe besonte që vdekja nuk ishte një gjë aq e keqe. Ndonëse unë mendoj se vdekja është gjë e keqe – për shkak se nuk besoj në jetën pas vdekjes – nuk jam e mendimit se qëndrimi i saj ishte i gabuar nëse marrim parasysh kontekstin.
Shumica e njerëzve për të cilët kujdesen motrat, janë fizikisht dhe mentalisht të hendikepuar, apo shumë pleq e shumë të sëmurë. Ata jetojnë në vende të botës ku është shumë e vështirë të mbijetosh edhe nëse je i ri dhe i shëndetshëm. Kam parë motra duke bërë gjithçka që munden për t’i bërë këta njerëz që të ndihen më mirë dhe kam parë sesi iu është thyer zemra kur një vajzë e vogël vdiç në Kuzko, edhe pse janë fort të bindura se të jesh pranë zotit është shumë më mirë se të jesh në këtë planet. Po, ndoshta nëse ajo vajzë e vogël do të shkonte në ndonjë spital të pasurish në Amerikë, do të jetonte më gjatë. Por fakti është që ajo nuk mundi të shkonte në spital, dhe prapë e kishte një jetë shumë më të mirë sesa po të ishte lënë në mbeturina, ku e kishin gjetur motrat misionare.
Kundërshtimi i abortit dhe kondomëve
Po, Nana Terezë ishte shumë e zëshme për këto çështje. Ani pse bërtas e çirrem kur e dëgjoj ndonjë politikan që i konteston këto të drejta fundamentale, nuk e bëj këtë kundër Nënës Terezë. Në fakt, e kuptoj Nanën Terezë megjithëse nuk pajtohem dhe e marr këtë si një çmim që duhet paguar për gjithçka të mirë që ka bërë ajo për botën. Besimi i saj fundemantal është që secili, absolutisht secili në botë meriton dashni dhe kujdes. Ajo i gëzohej secilës jetë në këtë planet më shumë se çdokush, prandaj e krijoi Misionin e Bamirësisë: për të ndihmuar dhe mirëpritur skamjen, jetët e atyre që nuk vlerësohen të denja për t’u jetuar dhe që janë refuzuar nga çdokush dhe çdogjë.
Pa besimin se çdo jetë ia vlen dhe për rrjedhojë duhet ndaluar aborti dhe kondomi, ajo nuk do ta krijonte një organizatë kaq të fuqishme, as nuk do ta kishte forcën që të kujdesej për forcimin e saj. Nuk po them se për të bërë mirë në botë, dikush duhet të jetë kundër abortit – larg qoftë, kjo do të ishte budallaki e madhe; unë thjesht po them që besimi i saj në shenjtërinë e jetës ishte fuqia nxitëse për të bërë gjithë ato të mira që ajo bëri. Nëse i kthehemi prapa punës së saj, nuk mendoj se ajo duhet kritikuar për atë punë.
Akademikët kanadezë përfundojnë – të bazuar në shumë libra që kanë lexuar ani pse s’iu kanë bërë asnjë vizitë Misionareve të Bamirësisë – se Nana Terezë ishte shumë më ndihmuese për Kishën Katolike sesa për njerëzit që thoshte se po i ndihmon, dhe shumçka duhet marrë në konsideratë para se Vatikani të vendosë që ta bëj shenjtore.
Çka na duhet neve një shenjtore? Kush beson përnjëmend në mrekulli? Nana Terezë i krijoi 517 misione në 100 vende, duke ndihmuar qindra-mijëra njerëz, dhe duke frymëzuar gjenerata vullnetarësh rreth-e-rrotulë botës: për mua kjo është mrekullia më e madhe se ajo që kisha ia atribuon asaj (kinse ajo kuroi një grua që po vuante nga një dhimbje e përhershme abdominale)!
Mesazhi për të gjithë urrejtësit e Nanës Terezë: nëse nuk e pëlqeni, është e drejta juaj dhe e respektoj. Por ju lutem, mos humbni kohë duke shkruajtur studime dhe artikuj për të, që nuk kanë ndonjë qëllim tjetër veçse të shkaktojnë senzacion. Zgjedhni ngapak. Mesiguri ka njerëz më të këqinj në botë se ajo – që meritojnë gjithë energjinë tuaj! Dhe nëse Nana Terezë bëri kaq punë të keqe duke ndihmuar të tjerët, pse e shpenzoni kohën duke e kritikuar atë, në vend se të bëni diçka të mirë për botën?



