Pala kosovare mohon se në Bruksel do të diskutohet për Asociacionin

Pala kosovare mohon se në Bruksel do të diskutohet për Asociacionin

Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se në kuadër të bisedimeve në Bruksel nuk do të diskutohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe

Tema e Asociacionit nuk është në agjendën e takimeve dhe nuk do të bisedohet për këtë temë, ashtu siç kanë shkruar ditë më parë mediat serbe, Qeveria thotë se këto njoftime janë të pavërteta, pasi që në Bruksel do të bisedohet vetëm për katër tema: lëvizja e lirë, diploma, kadastri dhe kodi telefonik.

“Bisedimet për ketë temë që po vazhdojnë edhe sot, kanë filluar që në ora dhjetë të mëngjesit në përpjekje për t’u arritur marrëveshja për zbatimin e reciprocitetit në tabelat e regjistrimit të automjeteve mes dy shteteve ashtu siç është paraparë me marrëveshjen e vitit 2011.

Dje në orët e mbrëmjes ministrja Tahiri ka zhvilluar takim me Drejtoreshën për Evropën perëndimore dhe Ballkanin perëndimor në EEAS, Angelina Eichhorst, ku në përbërje trepalëshe është vlerësuar gjendja në zbatimin e marrëveshjeve dhe është kërkuar përshpejtim i procesit.

Për shkak se bisedimet për lëvizjen e lirë po vazhdojnë sot, takimi për zbatimin e marrëveshjes për kadastrin nuk do të mbahet dhe i njëjti është shtyrë për një raund tjetër të radhës të dialogut në Bruksel.

Kurse gjatë ditës do të mbahet takimi për zbatimin e marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave mes dy shteteve me ndërmjetësimin e  BE’së.

Njoftojmë opinion publik se tema e asociacionit nuk është në agjendën e takimeve dhe nuk do të bisedohet për ketë temë, prandaj njoftimet që kanë dal nga disa medie të Serbisë në lidhje me ketë çështje janë të pavërteta. Sikurse që ju kemi njoftuar në komunikatën e më hershme në këtë raund të bisedimeve në Bruksel do të jenë vetëm katër tema: lëvizja e lirë, diploma, kadastri dhe kodi telefonik dhe varësisht nga rrjedhat do të ju mbajmë të informuar”, thuhet në njoftimin për media.

Shpërndaje në: