Lajm i mirë për Skënderbeun para ndeshjes me Dinamo Zagrebin
Skënderbeu ndoshta është një rival shumë i lehtë në letër, por asnjëri nga trajnerët nuk do të donte t’i kishte jashtë yjet e ekipit për ndeshjen e “play off”-it në Ligën e Europës.
Këtë luks zgjedhjesh nuk e ka dot numri një i Dinamos së Zagrebit, Mario Cvintanoviç, i cili ditën e djeshme është njohur me një lajm aspak të këndshëm nga infermieria.
Dy lojtarët më të mirë të skuadrës kroate, Sudani dhe Ante Çoriç, janë në dyshim për sfidën me Skënderbeun, për shkak se ndiejnë shqetësime në kofshë dhe kanë probleme muskulore.
Stafi dhe mjekët janë duke bërë gjithçka për t’i rikuperuar për nesër, por ende nuk dihet nëse do të luajnë apo jo kundër korçarëve.
Sudani dhe Çoriç janë dy lojtarë që luajnë në repartin e avancuar dhe, në rast se do të mungonin, mesfusha dhe mbrojtja e Skënderbeut do të ishin më të qeta.
Dy futbollistët e mësipërm janë më të mirët në ekipin kroat dhe mungesa e tyre do të ishte një humbje e madhe për trajnerin Cvintanoviç.
SOZA KA BESIM
Pavarësisht lajmeve jo të mira që vijnë nga infermieria, mbrojtësi Borna Soza është i bindur se skuadra e tij do ta kalojë raundin dhe do të kualifikohet për në grupet e Ligës së Europës.
“Në këtë raund të Ligës së Europës nuk ka skuadra të lehta për t’u kaluar, por ne jemi Dinamo e Zagrebit dhe do të bëjmë gjithçka për të siguruar grupet.
Do të ishte dështim për ne, në rast se nuk ia dilnim ndaj një ekipi si Skënderbeu. Kemi luajtur edhe më parë ndaj tyre dhe i dimë shumë mirë pikat e forta dhe të dobëta.
Kemi besim se do të fitojmë. Është ndeshja e parë dhe nuk duhet të zhgënjejmë përpara tifozëve tanë”, ka thënë mbrojtësi kroat i Dinamos së Zagrebit.



