Vokrri-Xhakës: Nuk kam pse të kërkoj falje
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri ka reaguar pas letrës së shkruar nga Ragip Xhaka, drejtuar FFK-së, e i cili kërkoi një kërkimfalje nga këta të fundit, pasi sipas tij, ai bashkë me djalin e tij, Granitin janë ndier shumë të fyer me akuzat që i janë bërë rreth të ardhmës së tij me Zvicrën.
Vokrri thotë se nuk ka pse t’i kërkojë falje askujt, ndërsa insiston se lojtarët që duan të luajnë për Kosovën duhet të bëjnë kërkesën në FIFA.
“FFK asnjëherë nuk e ka quajtur tradhtar Granit Xhakën e as ndonjë tjetër. Unë ende i qëndroj asaj që ata lojtarë që dëshirojnë të luajnë për Kosovën, duhet të bëjnë kërkesë individuale në FIFA”, tha fillimisht Vokrri për Gazetën Express.
“Unë as ne si FFK nuk kemi çfarë ti kërkojmë falje askujt. Ata lojtarë që kanë dashur të luajë për Kosovën kanë bërë kërkesë dhe ajo kërkesë u është pranuar”. /Periskopi.com



