Serbët thonë se është krijuar ekipi për themelim të Asociacionit, Tahiri e mohon
Janë bërë hapat e parë për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Kështu të paktën po pretendojnë anëtarët serbë të ekipit menaxhues për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, raporton KTV.
Vinka Radosavleviq, Igor Kallamar, Dejan Radojkoviq dhe Svetisllav Durlleviq, përmes një njoftimi dërguar medieve, kanë thënë se presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa kanë marrë vendim për fillimin e hartimit të statutit dhe krijimin e ASK-së, transmeton Koha.net.
Më tutje, ky ekip pretendon se pas themelimit të Asociacionit, do të krijohen parakushtet e nevojshme për kthimin e mijëra serbëve në komunat me shumicë serbe, por edhe në vende të tjera në, siç thuhet, “Kosovë e Metohi”.
Por të gjitha këto deklarata i ka mohuar ministrja për dialog, Edita Tahiri, e cila gjendet në Bruksel.
“Këtë që e ka deklaruar grupi menaxhues është gënjeshtër, ata janë të manipuluar nga Serbia për të dhënë informacione të rrejshme. Po këtij grupi sot i është ndaluar hyrja në zyrat e BE-së në Bruksel, pasi ata nuk kanë mandat për të filluar punën”, është shprehur Tahiri.



