Drejtori i skandaleve rizgjidhet në krye të Policisë së Kosovës

Drejtori i skandaleve rizgjidhet në krye të Policisë së Kosovës

Shpend Maxhuni është riemëruar drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës edhe për pesë vitet e ardhshme.

Në rekomandimin e tij në mbledhjen e Qeverisë, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka thënë se vendimi është bazuar në performancën e deritashme të Maxhunit dhe Policisë së Kosovës, prandaj edhe ka propozuar që atij t’i vazhdohet mandati edhe për pesë vite.

Mirëpo, siç e dimë gjatë viteve që Maxhuni ka drejtuar Policinë e Kosovës kanë ndodhur skandale. Gjatë këtij mandati të Maxhunit, janë vjedhur 25.3 kilogramë ari në dhomën e dëshmive në Pejë.

Gjithashtu, Policia e Kosovës gjatë këtyre viteve disa herëështë akuzuar për manipulime e keqpërdorime të tenderëve të ndryshëm.

Një nga to, është edhe tenderi për furnizim me rroba civile në të cilin fitues është shpallur kompania “Bosser” që udhëhiqet nga Sami Kelani, vëllai i zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Baki Kelani. Shkelje tjetër në këtë tender është tenderi se nuk ka qenë i hapur, por ka shkuar nëpërmjet kuotimit (caktimit) të çmimit. Cak i hetimeve në Polici ka qenë edhe tenderi për furnizim me uniformë të re për Policinë e Kosovës, ndërtimi i objektit K9, si dhe tenderi për rregullimin e poligonit për gjuajte me armë zjarri.

Tenderi në vlerë mbi 1 milionë euro e gjysmë, për furnizim me jelek anti-plumb, është një skandal tjetër i Policisë, që udhëhiqej nga Shpend Maxhuni. Ky tender i është dhënë kompanisë “All Zone”, që është e lidhur me biznesmenin Valon Zymberi i cili është duke u gjykuar për mashtrim.

Ai akuzohet se e ka mashtruar Policinë e Kosovës në vitin 2009. Valon Zymberi gjykohet për shkak se pajisjen e emërtuar “Top Uji” për shpërndarje të protestuesvenuk e kishte sjell origjinale, por e kishte montuar në Mazgit. Tenderi i dhënë për këtë kompani shënon rastin e dytë brenda një viti, ku nga Policia e Kosovës shpërblehen kompanitë e lidhura me biznesmenë të akuzuar për mashtrim.

Në muajin shkurt të këtij viti, kompania “Sodex Group”, që figuron në pronësi të Zaide Pira, bashkëshortja e biznesmenit Astrit Pira, kishte fituar dy tenderë nga Policia e Kosovës. Vlera totale e tyre kapte shifrën e afro 700 mijë eurove. Ndërkaq kompania “Friends”, ku bashkëshorti i saj ka rol udhëheqës e ka pasur të ndaluar të fitojë tenderë publikë për shkak të mashtrimeve që ka bërë në të kaluarën.

Edhe rasti kur pjesëtarët e Policisë së Kosovës patën mbetur pa këpucë, dyshohet se është pasojë e dallavereve në tenderim. Kështu pati vlerësuar edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit, i cili ka urdhëruar Forcat e Rendit që ta anulojnë tenderin.

Këto janë vetëm disa skandale të Policisë së Kosovës e cila udhëhiqet nga Shpend Maxhuni.

Ky institucion shpeshherë është akuzuar edhe për ndërhyrje politike, përdorim të tepruar dhe abuzim të forcës, nga subjektet opozitare, organizata ndërkombëtare e analistë.

Ndërhyrja e Policisë së Kosovës për arrestimin e Albin Kurtit më 28 nëntor 2015, njihet si skandali tjetër. Është organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International e cila ka kërkuar hetim penal, duke thënë se se angazhimi i policëve të armatosur në një nivel të tillë ishte krejtësisht i pavend.

Policia është kritikuar edhe për rastet tjera të përdorimit të dhunës së tepruar ndaj protestuesve dhe aktivisteve te Vetëvendosjes, veçanërisht në rastin e fundit të akuzave për terrorizëm, të cilat nga shumë analistë e njohës të çështjes po cilësohen si montime.

Shpend Maxhuni mendohet të jetë njeri mjaft i afërt i PDK-së dhe së fundi është përmendur edhe në aferën Pronto 2, meqë rast Adem Grabovci përmes tij kishte punësuar disa njerëz në Policinë e Kosovës. /Periskopi/

Shpërndaje në: