Kandidatit të PDK-së për Prizren, Shaqir Totajt i kërkohet llogari për financat në klub
Tifozët e klubit të basketbollit “Bashkimi” në Prizren kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit të klubit Shaqir Totaj, pasi ky i fundit është kandiduar nga PDK-ja për kryetar komune. Tifozët në të njëjtën kohë e akuzojnë atë se e ka dëmtuar klubin.
“Të shkarkohet kryetari i klubit basketbollistit të Bashkimit, Shaqir Totaj”, ishte kërkesa e grupit të tifozëve prizrenas ‘Arpagjikët’ , të cilët kanë renditur një numër të arsyeve.
E gjithë kjo sipas tifozëve, Totaj është përgjegjës kryesor për degradimin e klubit, i cili humbi në finale të serisë së “Play-Off” kundër Sigal Prishtinës.
Sipas Arpagjikëve, në kohën derisa Totaj është kryetar, klubi është i zhytur në borxhe dhe në krizë financiare.
“Prej një ambienti ku nuk je i pëlqyer, më mirë largohu dhe mos na dëmto edhe më shumë. Përkrahja jonë në asnjë moment nuk është ndalur dhe nuk kemi pushuar ani pse me vite të tëra keni hasur në dashni pa kthim apo dashuri të njëanshme. Kemi përkrahur dhe respektuar çdo person që është afër me klubin si trajnerët, lojtarët e anëtarët e kryesisë, në veçanti kryetarin i cili 3 vite është në krye të klubit”, thuhet në letrën e grupit.
Tifozët e akuzojnë Totajn se derisa ishte kryetar, klubi është i zhytur në borxhe. “Kjo situatë dikujt edhe i konvenon dhe pa marrë parasysh situatën, jemi të renditur mirë në tabelë ku vitin e fundit humbëm finalen duke na munguar organizimi i mirëfilltë i kryesisë dhe kompaktësia kryesi-trajner-skuadër-tifozeri”, thuhet në letër.
Për tifozët edhe ish-menaxheri është I padëshiruar në klub. “Tashmë ju dy jeni persona non grada për tifozët dhe qytetarët prizrenas. Këtë edhe vet e dini. Jepni dorëheqje morale sepse nuk do të guxoni të hyni ma në qendrën sportive e lëre më diçka më shumë”, thuhet në letër.
“Derisa pas ndeshjes së dytë finale (e para në Prizren) pësuam humbje mu ky person bashkë me personin tjetër nga federata dhe referët festonin humbjen e Bashkimit në një darkë solemne e cila ka kushtuar hiq më pak se 150€. E po mos të hym më thellë tek financat sepse gjithqka është e arsyshme falë pozitës së kryetarit dhe kërkojmë auditim ndërkombëtar për klubin sepse kjo çfarë po ndodh është katastrofë në vete e papranueshme. Mosaktivizimi i tij si kryetar e kryesisë (nëse ekziston një e tillë) ka bërë që në Prizren të funksionojnë shumë klube në veçanti kategori të ulëta të cilët nesër do t’i bëjnë konkurrencë edhe Bashkimit. Boll ma! Profiterave që nëpërmjet emrit të klubit mendojnë të bëjë emër për vete iu ra maska. Talent, ik nga BASHKIMI”, thuhet në letër.
Justin Black ishte një nga lojtarët amerikan, i cili përmes rrjeteve sociale tregoi se Totaj refuzonte t’i paguante kontrat e atyre amerikanëve, ndonëse kishin rënë dakord për një gjë të tillë.
“Në fund të ditës një njeri më gjykoj për fjalët e tij të shëmtuara dhe për një veprim… pasi kishim fituar një lojë në këtë vit duke e ndihmuar klubin e Bashkimit të ngritët në një gjysmëfinale historike … presidenti Shaqir Totaj dhe GM @Shpend S Bajrami kanë refuzuar të paguajnë amerikanët rreth kontratave të tyre që ata më herët kanë rënë dakord me klubin dhe për ta bërë këtë situatë më të shëmtuar. Pas kërkesave të panumërta që i kisha bërë klubit për ti marrë parat e “mija”, unë i kisha thënë atij “shko palloje mamanë time”…. Tani çdo njeri ose qenie njerëzore për gjithë këtë ndodhi për t’ia kumtuar një personi tjetër “shko palloje” një femër e cila e ka sjellë atë në këtë botë të cilën edhe ai e ka provuar, familja e tij është asgjë pos një plehre dhe një i rëndomtë për të lëvizur si frikacak… por gjithashtu unë dhe mendja ime e rritur kam gjetur qetësi për të mos iu përgjigjur dhe cilësitë e mija njerëzore janë të rrënjosura te unë si kontrollin, maturinë, të drejtën dhe kuptimin…. Pra gjithkush që e lexon nuk ka rëndësi mosha thuani mamasë suaj se e doni atë… më falni për këtë hallakatje në këtë postim… nëna ime ka respektin më të madh për ju”, kishte shkruar Black.



