Skënderbeu nuk ndalet as në merkato, priten tre transferime të reja

Skënderbeu nuk ndalet as në merkato, priten tre transferime të reja

Skënderbeu nuk e ka mbyllur me merkaton. Bardhekuqtë do ta pasurojnë edhe më shumë organikën, ndërsa dihet që, veç kampionatit, kupës, do të luajnë edhe grupet e Ligës së Europës.

I pari që pritet është Afrim Taku, që do të rikthehet nga Amerika. Por, veç tij, në planet e klubit janë edhe një sulmues dhe një mbrojtës.

Emrat konkret mungojnë, megjithatë në orët e fundit të tregut të shit-blerjeve do të vijnë edhe zyrtarizimet.

Korçarët vijonë përgatitjet për startin e sezonit të ri. Ekipi, nën urdhrat e Ilir Dajës, ka punuar dje më shumë taktikisht në fushë.

Trajneri po mundohet që të përshtatë ekipin me kushtet e kampionatit, por mbi të gjitha të provojë edhe skemat e duhura për një kompeticion ndryshe.

Gjithçka thuajse është gati dhe stafi teknik po merret vetëm me detajet e fundit, teksa po krijon edhe idetë më të qarta për të gjithë futbollistët e rinj që kanë ardhur.

Demte, mesfushori nga Etiopia, është ai që dita-ditës po jep sinjale më të qarta të rritjes si futbollist dhe po bëhet pjesë e plotë e grupit.

Paraqitja e tij ka bërë që Daja ta përdorë në disa momente me grupin e titullarëve, për të parë sesi do të reagojë lojtari.

Të dhënat nuk i mungojnë dhe nuk është çudi që t’i besohet mjaft shpejt një fanellë në 11-she.

 

Shpërndaje në: