Pse e çojmë në qiell repin e pavlerë shqiptar?
Në një dokumentar të BBC-së për politikanët me ‘paraqitjet’ më interesante, Barack Obama zë vendin e parë. Jo për shkak të fjalimeve të tij (të mira) por për zërin e tij që tingëllon si i 2 Pacut. Pra, përfundimi i një dokumentari të tërë, është se Obama, veç tjerash, në fushatën e tij për president, ‘tingëllonte si 2 Pac’.
Kë mund ta marrim për model në skenën tonë të hip-hopit, që nesër t’ia kopjojmë retorikën, tingullin, diskursin e teksteve t’ia kthejmë në një fjalim politik? A e paramendoni Hashim Thaçin duke tingëlluar si Getoar Selimi? Ramush Haradinajn si Noizy? Ose Kadri Veselin si Stresi? Ose Albin Kurtin si Unikkatili? Unë jo. Edhe po të donin ata, nuk kanë çka të marrin as nga Geti, as nga Noizy, as nga Stresi e Unikkatili. Sepse, asnjë nga këta ‘artistë hip-hopi’ nuk kanë bërë gjë me vlerë në jetën e tyre.
Natyrisht, ne ua kemi krijuar gjithë arallakun medial që ata të na shfaqen çdo ditë si ‘artistë hip-hopi’, por siç paska shkruar Vullnet Krasniqi, çka do mbanim mend nga ata nëse plumbi i shkrepur dje në qendër të Prishtinës, do ta vriste njërin nga ata.
Në disa shkrime të fundit të disa figurave të njohura në Kosovë e Shqipëri, muzika jonë, e sidomos hip-hop, u vlerësojka si më e mira. Për çka? Pse zhargoni i Prishtinës i përshtatet më shumë? Ose e ‘folura kosovarçe’? Çka ofrojnë këngët e Getit përveç komercializmit tekstual e muzikor? Ose të Noizyt? Nëse nuk fitoni një kokëçarje nga muzika e tyre, jeni njeri me fat. Se muzika jonë hip-hop paska bërë ‘bashkimin kulturor kombëtar’ është edhe vlerësim i disa sociologëve nëpër studiot televizive. Për cilin bashkim e kanë fjalën? Bashkimin në mendimet se: femra është e përdalë, veç pse është femër ok. Se kushdo që nuk tingëllon kosovarçe në hip-hop, tingëllon si ‘femër’. Pse e çojmë në qiell repin e pavlerë shqiptar?
Çka gjeni në tekstet e tyre?
“90 % të femrave, janë bo rrospia’
ai 10 % po rrinë kah shpia…. “– Unikkatil.
“Kurva jem osht qajo me 500’she në ballë” – Geti.
“Më falni për anglishten, e ngatërroj kapak kur e miksoj me frangjishten” – Noizy.
Ja pra, çka përmbajnë disa nga hitet e artistëve tonë. Ata fyejnë konceptin e sarkazmës, të teksteve rep (për të cilat gjithashtu janë shkruar libra e janë realizuar seri dokumentaresh nga media prestigjioze). Fyejnë frymën revolucionare të repit. Gjithçka e shndërrojnë në shund e kiç.
Ata nuk kanë një këngë si ‘Mockingbird’ të Eminemit ku unë do të çmallesha për Herën (vajzën time që nuk e shoh me ditë të tëra). Nuk kanë ‘Changes’ të 2 Pacut, ku do ta mbanin mend gjeneratat deri në apokalips. Ata kanë këngë e tekste ku fyejnë femrën, nënën shqiptare dhe gjenerojnë patriarkalizëm me shumicë. Kanë tekste ku flasin në superlativ për vetveten, në një shoqëri që vuan për bukë. Pra, ata janë gjithçka, por kurrë një ‘role model’ i qëndrueshëm.
Duke vjedhur këngë e tekste nga artistë post-tupacian, si The Game, Bushido, Sido, Obie Trice, Proof, etj., provojnë të shndërrohen në figura të përfolura mediale, se paskan ‘kultivuar një hip-hop të mirë’. Mos bëni hajgare…



