Pjanic: Na presin muaj të vështirë duhet të mprehim ‘sakicën’
Miralem Pjaniç e ka marrë në dorë shpërndarjen e topit dhe konfirmohet si busulla e lojës së skuadrës së Juventusit, por ai e di mirë se transferta ndaj Sasuolos, pas disfatës me Barcelonën në Champions, ishin vetëm dy ndeshjet e para të vështira, të një muaji ferri që e pret “Zonjën e Vjetër”, e cila do të luajë një herë në tri ditë në tri javët e ardhshme.
“Kundër Sasuolos në transfertë nuk është asnjëherë një ndeshje e lehtë, por këtë herë e kaluam me tri pikë dhe vazhduam marshimin tonë perfekt në kampionat. Gjithsesi, kohë për të festuar nuk ka, pasi muaji i ferrit që na pret do të jetë i gjatë dhe shumë impenjativ, me një ndeshje çdo tri ditë.
Prandaj, të gjithë duhet të jemi të përqendruar dhe të mprehim armët që kemi, pasi nga rezultatet që do të arrijmë mund të varet fati i pjesës së dytë të sezonit tonë. Dibala? Përgëzime atij dhe skuadrës. Paulo ishte vërtet fantastik”.



