Mposhtet Hamburgu i Mavrajt, i kthehet rezultateve negative
Ndeshja e fundit e javës së 6 të Bundesligës vinte përballë Bajer Leverkusenin me Hamburgun, ku aktivizohet edhe mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj. Por si futbollisti shqiptar, ashtu edhe shokët e tij, mund të bënin shumë pak përballë talentit të jashtëzakonshëm të argjentinasit Lukas Alario.
Futbollisti u ble për 19 milionë euro nga Bajer Leverkusen nga River Pleit, por vetëm të enjten mori lejen nga FIFA që të aktivizohej në kampionatin gjerman. Alario shpërbleu më së miri besimin e klubit me një paraqitje të shkëlqyer sot përballë Hamburgut, ku Mavraj&Co. e kishin të vështirë ta ndalnin.
Pas golit të Voland në minutën e 20, Alario filloi të gjente më shpesh hapësira dhe la shenjë në këtë ndeshje duke shënuar në minutën e 23-të golin e rezultatit 2-0. Sikur të mos mjaftonte kaq, ai dha edhe pasimin e golit të tretë të shënuar po nga Voland në minutën e 83-të, duke u zëvendësuar 3 minuta më vonë mes duartrokitjeve të publikut.
Kjo fitore 3-0 largon Bajer Leverkusen nga fundi i tabelës së klasifikimit por lë në ujëra të turbullta Hamburgun, i cili sot regjistroi humbjen e katërt radhazi.



