Balaj i rikthehet fushës së gjelbërt, fiton ekipi i tij
Pas shumë lajmeve për dëmtime futbollistësh, për Kombëtaren shqiptare vjen një lajm pozitiv për kthimin në fushë të një prej tyre. Bekim Balaj ka lënë pas dëmtimin dhe sot ka shkelur përsëri fushën e lojës duke u aktivizuar në minutat e fundit të sfidës që skuadra e Akhmat Grozni fitoi kundër Rubin Kazan.

Sulmuesi 26-vjeçar kishte qëndruar larg fushave që në muajin gusht, kur një dëmtim në gju e detyroi që të qëndronte pushim për një kohë të gjatë dhe t’i nënshtrohej terapive, duke humbur mundësinë të luante rregullisht si me skuadrën e tij, ashtu edhe me përfaqësuesen kuqezi.

Kjo situatë ka marrë fund sot, kur Balaj u aktivizua në minutën e 80-të të duelit kundër Rubin Kazan, duke zënë vendin e Bernard Berishës në fushën e lojës. Vetëm 6 minuta më vonë, skuadra e tij gjeti rrugën e rrjetës për të siguruar suksesin 1-0 që e ngjit Akhmat Groznin në vendin e 5 në renditje. Sa i përket Odise Roshit, ai qëndroi gjatë gjithë ndeshjes në stolin e rezervave.



