Pas shkarkimit nga Bayern Munich, Anceloti mund të përfundojë në pankinën e drejtuesit të Milanit
Pavarësisht fitores mes vuajtjesh, pyetjet e para të gazetarëve për Vinçenco Montelën kishin lidhje me Ançelotin. Me përgjigjen e tij trajneri kuqezi ka shprehur të gjithë admirimin për tashmë ish-teknikun e Bajernit:
“Për Ançelotin kam një vlerësim të pamasë. Kur fillova këtë zanat ka qenë i pari trajner që kam parë të punojë nga afër, mund të vijë te Milani kur të dojë për të qenë zëvendësi im, ose unë i tiji”.
Në lidhje me sfidën ndaj Rijekës dhe vështirësitë në minutat e fundit trajneri kuqezi theksoi: “E ndjeva edhe unë që djemtë patën një shkëputje nga ndeshja. I kam kërkuar të luajnë me shpirt dhe grintë, por edhe që të kënaqen në fushë. Goli i parë i tyre na frikësoi, për fat të mirë arritëm të merrnim një fitore shumë të vyer”.

Rijeka barazoi për dy gabime individuale të Romanjolit dhe Bonuçit. Montela nuk pranoi të fajësonte asnjë nga të besuarit e tij, teksa tha: “Prapavija kërkon një punë të veçantë, të cilën ne po e bëjmë. Gabimet janë pjesë e lojës, ndoshta kemi shpenzuar shumë energji, por fatmirësisht janë detaje që mund të korrigjohen”.

Një koment të fundit, Montela ia kushtoi ecurisë së ekipit, duke analizuar: “Kemi ende shumë punë, por mos harrojmë se kemi fituar 10 nga 12 ndeshjet që kemi luajtur.

Kjo fitore ka më shumë rëndësi se po të kishim fituar 2-0. Nëse Xhixho do të kishte pritur penalltinë, nuk do të isha po kaq i lumtur sa jam tani. Në ‘San Siro’ fitojmë gjithmonë, do të përpiqemi të shfrytëzojmë faktorin fushë në sfidat e radhës”.



