Tifozët e ekipit të Sadikut godasin lojtarët pas humbjes (Foto)
Tifozët huliganë të Legias së Varshavës kanë kaluar çdo limit të akteve të dhunshme teksa këtë radhë viktimat e tyre kanë qënë vetë lojtarët e skuadrës ku aktivizohet edhe sulmuesi i kombëtares shqiptare, Armando Sadiku.
Pas humbjes 3-0 në transfertë me rivalët e përjetshëm të Leh Poznan, një grup prej 50 vetësh i ka pritur futbollistët të ktheheshin në Varshavë dhe i ka sulmuar në parkingun e stadiumit, në momentet që këta të fundit ishin duke u bërë gati për t’u shpërndarë në shtëpitë e tyre.

Tifozët kanë përdorur mjete të forta duke i goditur lojtarët dhe pjesëtarët e stafit në pjesën e pasme të kokës. Një debat i fortë mes tyre ka zgjatur rreth 8 minuta teksa fansat kanë kërkuar llogari për formën e dobët të skuadrës dhe rezultatet negative.
Klubi i Legias ka reaguar me një komunikatë zyrtare duke e dënuar veprimin e tifozëve të dhunshëm. Një veprim i tillë nga tifozët ka ndodhur edhe në vitin 1998, edhe atëherë pas një humbjeje 3-0 me Leh Poznanin.



