Nuk kanë të ndalur lëndimet për Bale, kaq kohë do të mungojë
Dëmtimi i pësuar në pulpë gjatë ndeshjes së Ligës së Kampioneve përballë Borusias së Dortmundit duket se do ta mbajë sulmuesin uellsian të Realit të Madridit, Gareth Bejl, për një muaj jashtë fushave.
I rikthyer së fundmi pas një dëmtimi të gjatë dhe drejt kapjes së formës optimale, ai detyrohet të ndalojë sërish, dhe këtë radhë duke humbur edhe dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Kupës së Botës “Rusi 2018” me kombëtaren e Uellsit.
Kombëtarja e cila arriti deri në gjysmëfinale të Kampionatit Europian “Francë 2016” synon të kualifikohet për herë të parë në një Kupë Bote që pas vitit 1958. Në dy ndeshjet e fundit të Grupit D, Uellsi do të ndeshet me Gjeorgjinë dhe Irlandën, por pa shërbimet e kapitenit dhe yllit të skuadrës.
Pas 8 ndeshjesh, Uellsi renditet në vendin e dytë me 14 pikë, 4 më pak se Serbia e vendit të parë dhe 1 më shumë se Irlanda e vendit të tretë.



