Takimi i liderëve për demarkacionin, pas kthimit të Mustafës nga New Yorku

Takimi i liderëve për demarkacionin, pas kthimit të Mustafës nga New Yorku

Takimi i shumëpritur në mes të liderëve të pesë partive më të mëdha në vend pritet të ndodhë menjëherë pas kthimit të kryeministrit, Isa Mustafa, nga vizita e tij zyrtarë që po e zhvillon në SHBA.

Këtë për Indeksonline, e ka konfirmuar këshilltari për media i kryeministrit Mustafa, Faton Abdullahu.  Duke shtuar se Mustafa nga vizita e tij në SHBA do të kthehet këtë të shtunë më 24 shtator.

“Sa i përket demarkacionit Qeveria vazhdon të jetë bashkëpunuese, jo përjashtuese dhe korrekte si në qasje ashtu edhe në metodat e punës. Një parimësi e tillë ka qenë e pranishme pandalshme dhe do të vazhdohet në këtë mënyrë. Nga ky vështrim duhet parë edhe përpjekjen e Kryeministrit Mustafa që të takohet me të gjithë faktorët relevantë, ku gjithsesi përfshihet opozita.

Kryeministri Mustafa posa të kthehet nga New Yorku do t’i përkushtohet agjendës së demarkacionit ku përfshihen edhe takimet me opozitën”, ka thënë Abdullahu për Indeksonline.

Akuzat për kokëfortësi, sipas tij, nuk i ndihmojnë askujt, duke shtuar se  faktet e pa rrëzueshme, duhet të jenë bazë e cilësdo bisede dhe cilitdo komunikim.

“Duhet të ngadhënjej interesi nacional i Kosovës dhe gjithsesi interesi i qytetarëve të saj. Prandaj determinueshëm ne duhet të jemi në hap optimal me integrimet evropiane, duhet ta dëshmojmë se jemi për normalizim dhe begatim të vazhdueshëm  të raporteve me fqinjësore dhe gjithsesi edhe të mendojmë për liberalizimin e vizave si premisë për një mundësi më shumë për qytetarët dhe bizneset tona”, ka shtuar Abdullahu.

E, në anën tjetër, partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK e NISMA janë shprehur të gatshme për një takim të përbashkët me kryeministrin Mustafa. /Indeksonline

 

Shpërndaje në: