PDK thotë se truproja e Imri Ahmetit kërcënoi kandidatin e tyre për Lipjan, LDK e quan shpifje

PDK thotë se truproja e Imri Ahmetit kërcënoi kandidatin e tyre për Lipjan, LDK e quan shpifje

Dega në Lipjan e Partisë Demokratike të Kosovës, po pretendon se truproja e Imri Ahmetit ka kërcënuar me vrasje kandidatin e PDK-së për kryetar komune, Ismet Hajrullahu.

“PDK, dega në Lipjan, shpreh shqetësimin për vazhdimin e linçimeve, kërcënimeve dhe shantazheve nga ana e grupit kriminal të Imri Ahmetit ndaj anëtarëve dhe simpatizantëve të PDK-së. Sot është kërcënuar publikisht me vrasje kandidati për kryetar z. Ismet Hajrullahu, nga Mentor Vishesella, truproja e Imri Ahmetit. Kërcënimi ka ndodhur pas debatit televiziv ‘Jeta në Komunë’”, thuhet në reagimin e PDK-së.

PDK, thotë se “këto kërcënime nuk e ndalin zërin e tyre për të ndalur të keqen që iu është kanosur qytetarëve tanë. Për më tepër, ato na bëjnë edhe më të fortë për të vazhduar rrugëtimin e fitores dhe rrëzimin e një pushteti të diktaturës”.

“Ne jemi të obliguar që të promovojmë vlera demokratike, duke bërë fushatë fer dhe demokratike. Ne ftojmë organet kompetente te sigurisë të ndërmarrin masa për të dënuar veprimet e tilla kriminale nga njerëzit e LDK-së të cilët po përdorin të gjitha mjetet antiligjore me qëllim të frikësimit dhe heshtjes së oponentëve politikë”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Ndaj këtyre akuzave ka reaguar Dega e LDK-së në Lipjan, duke e quajtur shpifje të radhës deklaratën e PDK-së, e cila ka njoftuar se kandidati i PDK-së Ismet Hajrullahu është kërcënuar me vrasje nga truproja e Imri Ahmetit.

“Në mungesë të vizionit dhe duke parë humbjen e sigurt elementet destruktive brenda PDK-së të vetmen mundësi e kanë shpifjen, trillimin dhe krijimin e insuniatave edhe qesharake. Deklarata e sotme nga PDK është totalisht shpifje. Ne thërrasim të gjithë oponentët politikë të mos e kontaminojnë klimën e garës zgjedhore por të përcjellim mesazhin e një gare civilizuese me vlera të larta demokratike. Qëllimi i kësaj shpifje të radhës është për të provuar nxitjen e militantizmit brenda strukturave të vet PDK e cila siç duket nuk mund të duroj as vet një shpifës e parashutist që nuk njeh as fshatin e lindjes e aq ma pak lokalitetet tjera në territorin e komunës tonë. Ne nuk mund të marrim përgjegjësin e dezorientimit në oborrin tuaj. Qytetaret e Lipjanit kanë nevojë për garë zgjedhore fer me alternativa për qeverisje efektive jo për fyerje jo për shpifje të llojeve të tilla”, thuhet në reagim.

 

Shpërndaje në: