Ja çka tha sulmuesi i gazetarit Vehbi Kajtazi në polici

Ja çka tha sulmuesi i gazetarit Vehbi Kajtazi në polici

Fitim Thaqi, i dyshuari për sulmin e të premtes ndaj kryeredaktorit të Gazetës Insajderi, Vehbi Kajtazi, është dorëzuar mbrëmë në Polici, e cila ishte vënë në kërkim të tij.

Sipas avokatit, prokurorja e rastit, Merita Lumezi, ende nuk ka bërë ndonjë kërkesë për masë të sigurisë.

Fitim Thaqi dyshohet për lëndim të lehtë trupor.

Avokati Halilaj ka treguar për KALLXO.com se Fitim Thaqi është vetëdorëzuar në Polici dhe se gjatë intervistës në Polici ai e ka pranuar fajësinë.

“I mbrojturi im është vetëdorëzuar në polici, e ka pranuar fajësinë në intervistën në polici dhe ka deklaruar se sulmi ka qenë krejtësisht rast i izoluar, i atypëratyshëm dhe se nuk e ka njohur më parë Vehbi Kajtazin dhe as punën e tij”, tha avokati Halilaj për KALLXO.com.

Ndryshe, gazetari Vehbi Kajtazi është sulmuar të premten teksa ishte në një restorant në kryeqytet.

Ndërsa, të shtunën, komuniteti i gazetarëve protestoi kundër sulmit fizik ndaj kolegut të tyre.

Vetë i sulmuari tha se njerëzit që po sulmojnë gazetarët janë të lidhur me politikën.

Ndërsa më 16 gusht të këtij viti ishte sulmuar edhe Parim Olluri, drejtori i Gazetës Insajderi.

Në mars për kërcënimet ndaj gazetarëve kryeprokurori Aleksandër Lumezi kishte caktuar si koordinator prokurorin Besim Kelmendi.

 

Shpërndaje në: