Përkrahje për VV-në, partia zvicerane: Po të ishim qytetarë të Kosovës, do ta votonim Vetëvendosjen
Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se sot u ka ardhur një mesazh përkrahës për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, nga delegacioni i Partisë Socialiste (PS) Zvicerane që vizitoi Kosovën dhe Lëvizjen, gjatë javës së kaluar.
Në mesazhin e tyre thuhet se ‘’po të ishim qytetarë të Kosovës dhe po të kishim të drejtë vote, Vetëvendosje do të merrte votën tonë’’.
Nga VV theksojnë se është inkurajues fakti që mbështetja popullore për ta, po shoqërohet po ashtu vazhdimisht edhe me mbështetjen e miqve ndërkombëtarë.
Më poshtë lexoni mesazhi e plotë të delegacionit të PS-së Zvicër:
“Në datën 11.10.2017 udhëtaret dhe udhëtarët e grupit të fondacionit për arsim të PS-së, kanë pasur mundësi të takohen me Lëvizjen Vetëvendosje! dhe të diskutojnë për gjendjen politike, ekonomike dhe shoqërore të Kosovës. Krahas shpjegimeve të gjendjes së tanishme kemi mësuar edhe për caqet e ardhshme dhe realizimin e tyre. Kështu që mund të themi se po të ishim qytetare dhe qytetarë të Kosovës dhe po të kishim të drejtë vote, Vetëvendosje! do të merrte votën tonë”



