Kërkohet transparencë në dialogun Kosovë-Serbi
Kosova me çdo kusht po kërkon që në fazën e ardhshme të bisedimeve me Beogradin të përfshihen Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Profesori i sociologjisë, Fadil Maloku thotë se Qeveria Haradinaj duhet të bëhet më shumë transparente në dialog.
“Qeveria jonë mendoj unë, do të duhet njëjtë të përgatisë Projektin final, pastaj, publikun, opozitën, shoqërinë civile, e sidomos ekspertët e lëmive përkatëse dhe ata të pavarur, etj, në mënyrë që ta kemi përgjigjen adekuate ndaj asaj të Serbisë. Serbia nuk është e interesuar as në planin strategjik e as atë shtetndërtues të Kosovës, të ndihmoj e aq më pak të stimuloj, e përkrah, individ e subjekte lokale serbe kosovare. Ajo përmes Listës “Srpska”, po mundohet haptas t’i mbaj në burg kolektiv serbët lokal në Kosove”, ka thënë Maloku në një prononcim për Indeksonline.
Maloku ka thënë se do të ishte mirë që kjo qeveri të ishte më transparente.
“Besoj shumë që kryeministri Haradinaj, do të jetë i përgatitur si me ekipin e vet -jo veç politik, shtetëror, ashtu, edhe me draftet e finalizimit të bisedimeve me Serbinë. Uroj që të mos përsëritet më jotransparenca e qeverive të kaluara për këto tema” , ka theksuar ai.
Vlen të kujtojmë se qëllimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas Bashkimit Evropian, është relaksimi i raporteve ndërmjet dy vendeve në mënyrë që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë tutje me procesin e integrimit evropian.



