Detaje të reja: Policia plagos sulmuesin në lagjen “Dardania”
Tre zyrtarë policor janë goditur me veturë nga një person derisa policia po tentonte ta arrestonte pas një raportimi për vjedhje në lagjen “Dardani” në Prishtinë.
I dyshuari në përpjekje për të ikur ka hipur në një veturë të tipit Golf V, ndërsa policia ka përdorur edhe armët e zjarrit ku me këtë rast ka plagosur të dyshuarin.
“Sot rreth orës 03:00, policia ka marrë informacionin për një rast vjedhjeje në progres në rrugën “Idriz Gjilani” në lagjen Dardania, në Prishtinë. Me të marr informacionin, policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku në gjendje flagrante ka hasur në personin e dyshuar, i cili në përpjekje për t’iu shmangur arrestit policor me shpejtësi është futur në automjetin Golf V ngjyrë e zezë, dhe në ikje e sipër nga vendi i ngjarjes i njëjti me automjetin në fjalë ka goditur tre zyrtarët policor që kanë qenë në vendngjarje duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia me tej ka sqaruar se për këtë rast është detyruar të përdorë armët e zjarrit me qëllim të ndalimit të veprimeve të rrezikshme të dyshuarit.
“Zyrtarët policor duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e të dyshuarit përbenin një kërcënim të drejtpërdrejtë, potencialisht të rrezikshëm për jetën e tyre domosdoshmërish janë detyruar të përdorin armën e zjarrit me qëllim të neutralizimit të veprimeve të tilla të rrezikshme”, thuhet në njoftim.
“Me këtë rast i dyshuari A. Sogojeva, mashkull, 28 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, ka marrë lëndime trupore për çfarë i është ofruar ndihma mjekësore në QKUK, dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetë dhe në gjendje të mirë shëndetësore. Zyrtarët policor të lënduar në këtë rast, kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe përkundër lëndimeve të shumta janë në gjendje shëndetësore të qëndrueshme. Ndaj të dyshuarit me rekomandimin e prokurorit të shtetit është shqiptuar masa e arrestit policor prej 48 orësh”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë së Kosovës.



