I kthehet politikës djali i ish-liderit të Libisë Muammar Gadafit (Foto)
Djali i Muammar Gaddafit Saif al-Islam, një nga politikanët më të shquar përpara Pranverës Arabe që përfshiu vendin në vitin 2011, u lirua nga milicia e batalionit të Ebu Bekrit Al Siddiq, nën një marrëveshje amnistie në qershor, pasi kishte kaluar më shumë se pesë vjet në robëri. Avokati i tij Khalid al Zaidi i ka folur Sputnikut në një intervistë ekskluzive në Kajro.
Saif al-Islam është “shpresa e Libisë për momentin” dhe ai do të kthehet në politikë. Ai është djali i dytë i ish-liderit të Libisë, Muamar Gadafi, i cili ishte rrëzuar dhe vrarë gjatë Pranverës Arabe, raporton “Sputnik International”, transmeton Periskopi.
Sipas Khalid al Zaidi, “gjendja aktuale në Libi, mungesa e dialogut dhe keqkuptimet politike e ka bërë të domosdoshme që Saif al-Islam Gadafi të kthehet në politikë në përpjekje për të arritur një zgjidhje politike në vend.”
“Ka pasur raporte të shpeshta që Saif al-Islam e ka lënë Libinë, por kjo nuk është e vërtetë. Ai po komunikon me udhëheqësit libianë, përfaqësuesit e fiseve për të arritur një zgjidhje politike dhe për të qetësuar partitë në konflikt”, shtoi ai.
“Negociatorët nuk po punojnë për stabilizimin e vendit, por për të bërë marrëveshje me njëri-tjetrin, duke mbrojtur interesat e tyre që janë larg nga ato të Libianëve të zakonshëm”, tha al Zaidi, duke shtuar se “janë interesat e shteteve të huaja, të cilat përfitojnë nga kriza e stërzgjatur e Libisë”, tha ndër të tjera ai.
“Libianët nuk presin asgjë nga këto bisedime, sepse nuk kanë dhënë rezultate për shtatë vjet, por vetëm sjellin vuajtje, luftë, shkatërrim dhe uri”, theksoi ai.
Z al Zaidi ka pohuar gjithashtu se Saif Gaddafi nuk mbështetet nga fuqitë politike, por nga libianët e zakonshëm. “Të gjithë libianët janë të armatosur deri në dhëmbë, të gjitha fiset kanë arsenale serioze…. Sif Al-Islam do të mbështetet në vullnetin e libianëve të zakonshëm për të marrë pjesë në luftën kundër terrorit dhe në stabilizimin e situatës në vend”.
“Shumica e fiseve presin veprim nga Saif al-Islam. Tani për tani ai është i vetmi shpresë për banorët e vendit”.
Lidhur me vendndodhjen aktuale të djalit të dytë të Muamar Gadafit, avokati ka thënë se ai nuk e kalon gjithë kohën në një vend, ai udhëton përreth vendit, duke u takuar me popullin, me fiset dhe udhëheqësit lokalë. Ai ka hedhur poshtë pretendimet se Saif al-Islam kishte ikur në Egjipt apo gjetkë: “Ai kurrë nuk ka ikur, dhe kurrë nuk do të largohet nga Libia”, përfundoi avokati.
Mutan Gaddafi, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare, djali i katërt i ish-liderit libian, u vra në duart e rebelëve në të njëjtën ditë si babai i tij.
Saadi Gaddafi, djali i tretë i Gadafit, u ekstradua nga Niger, ku ai kishte kërkuar strehim në vitin 2014 dhe po pret gjyqin në Tripoli.
Muhammed Gaddafi, ish-kreu i Komitetit Olimpik të Libisë dhe kryetari i kompanisë që kontrollonte rrjetet e komunikacionit celular dhe satelitor të Libisë, thuhet se fluturoi në Algjeri në vitin 2011 me nënën dhe motrën e tij dhe më vonë u zhvendos në Oman./Periskopi/






