Rrëfehet vajza e Azem Hajdarit, nga dasma e deri tek mandati i deputetes (Foto)
Edhe pse e rezervuar për të rënë në sy të mediave, Rudina Hajdari, vajza e Azem Hajdarit, muajt e fundit ka marrë vëmendjen e të gjithë publikut.
Sapo deputetja e re e PD-së iu bashkua politikës, për të vijuar rrugëtimin e lënë përgjysmë të të atit, elektorati e pa jo vetëm si një përfaqësuese të një zone të caktuar në Parlament, por edhe si një zë më shumë për të rinjtë – një qëllim që vetë Rudina ia ka vënë vetes ta çojë deri në fund. Kthimi nga Amerika, vendi në të cilin studioi dhe jetoi për shumë vite, nuk ishte i thjeshtë për Rudinën. Investimi për një kohë mjaft të gjatë në një vend me aspirata të mëdha, në të vërtetë, kishte objektiv Shqipërinë dhe kontributin në vendlindje.
Por kjo periudhë “tranzicioni” nuk qe e thjeshtë edhe për jetën personale. Tashmë që Rudina është angazhuar në jetën politike në Shqipëri, bashkëshorti i saj vazhdon të jetojë në Amerikë.
E ftuar këtë pasdite në “Rudina” për të rrëfyer më shumë për angazhimet e saj të momentit, deputetja e PD-së rrëfeu më shumë edhe për jetën private, për të cilën nuk kishte folur më herët. Njohja me Muçjon Demirajn, në fakt është e hershme: “Për detajet personale nuk është se dihet shumë. Ne jemi njohur kur unë kam qenë vetëm 16 vjeç, ai 18. Unë isha akoma në gjimnaz, ndërsa ai sapo kishte mbaruar”, – tregon Rudina.




