Trajneri i Skënderbeut kërcënon Partizanin e Beogradit
Trajneri i Skënderbeut kërcënon Partizanin e Beogradit
Në një mobilizim jo të zakonshëm të forcave të sigurisë dhe me praninë e shtuar të agjentëve për një ndeshje futbolli, Skënderbeu preku tokën serbe në vigjiljen e sfidës së Europa League
Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja u shoqërua nga 8 agjentë sigurie të Policisë së Shtetit dhe 10 persona të tjerë të policisë private. Në stadiumin e Beogradit, këtë të enjte, numri i policëve do të jetë 10-fish më i madh, por trajneri i korçarëve, Ilir Daja shpreson që të flitet vetëm për futboll.
“Ngarkesa dhe presioni kalon te kundërshtari, sepse kërkon të fitojë patjetër. Duhet të bëjmë lojën tonë si në kualifikuese, si në grup. E njohim forcën e Partizanit dhe është një ekip i vështirë, por jo një sipërmarrje e pamundur për ne”, tha Ilir Daja, trajner i Skënderbeut, shkruan Top Channel.
Skuadra e vetme shqiptare e mbetur në kupat e Evropës do të luajë në një stadium, që është pak të konsiderohet “armiqësor”.
“Ajo që ndryshon është përshtatja e ekipit kundërshtar, pasi luajnë në shtëpinë e tyre, e përballojmë me qetësi dhe taktikë”, deklaroi më tej Ilir Daja, trajneri i Skënderbeut.
Skënderbeu dhe Partizani i Beogradit kanë nga 2 pikë secili në grupin B, me mundësi reale kualifikimi, kur është luajtur vetëm gjysma e ndeshjeve në grup.



