Kosova – Lituania: Përfaqësuesja mban seancën e fundit stërvitore (Video)
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, ka zhvilluar stërvitjen e fundit para ndeshjes me Letoninë.
Kosova dhe Letonia do të përballen nesër mbrëma në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë në sfidën miqësore.
Trajnerët e përfaqësueses sonë, Muharrem Sahiti e Genc Hoxha, sot në Drenas kanë zhvilluar stërvitjen e katërt, të fundit para duelit me Letoninë.
Trajneri Genc Hoxha i tha KosovaPress-it se skuadra është e përgatitur mirë për ndeshjen e nesërme. Ai thotë se kjo ndeshje është e rëndësishme për përfaqësuesen tonë, edhe pse është vetëm një sfidë miqësore. Hoxha beson se më në fund Kosova do t’i gëzon “Dardanët” më fitore.
“Gjatë këtyre katër ushtrimeve që i kishim këtu në Drenas, mendoj se kemi arritur të realizojmë plan-programin që e kemi paraparë për këtë ndeshje. Jemi të kënaqur me angazhimin dhe seriozitetin e gjithë lojtarëve”, është shprehur Hoxha.
Optimist për fitore është shprehur edhe mesfushori Bernard Berisha. Ai mendon se Kosova është e përgatitur mjaft mirë për të mposhtur Letoninë.
“Të them të drejtën jemi përgatitur shumë mirë dhe nesër për ne është ndeshje shumë serioze, e kemi vlerësuar këtë ndeshje për shkak së për herë të parë luajmë si vendas, ka qenë një ëndërr dhe sot është bërë realitet. Do të mundohemi të japim më të mirën dhe shpresoj shumë së do të arrijmë fitoren e parë. Duke e parë angazhimin e gjithë lojtarëve, trajnerëve, jemi shumë të motivuar për këtë lojë dhe do të bëjmë gjithçka që të arrijmë fitore”, ka theksuar Berisha.
Ndeshja mes Kosovës dhe Letonisë luhet nesër mbrëma dhe nis në orën 19:30.



