Trill në Londër: Arsenali mrekullon me lojë, por United i merr tri pikë
RAPORT – Kryendeshja e kësaj jave në Premierligë ishte e jashtëzakonshme. Manchester United e mundi 3 me 1 Arsenalin, në The Emirates Stadium. Por, nuk është ashtu siç duket sepse rezultati fsheh shumçka.
Arsenali ishte skuadër e guximshme, dhe sulmoi gjatë gjithë kohës. I kishte 33 përpjekje për të shënuar, 21 goditje drejt portës prej të cilave 13 në portë, dhe 75% të posedimit të topit. Veç kësaj, rastet për shënim ishin mjaft të mira, si në pjesë të parë, ashtu edhe në të dytën. Golin e vetëm e shënoi Alexandre Lacazette, pas një aksioni mjaft të bukur. Por, ajo që në fund vlen është rezultati i golave, dhe aty Arsenali humbi.
United i shënoi dy golat e parë – me anë të Valencias dhe Lingardit – pas gabimeve të tmerrshme, katastrofale, të dy mbrojtësve të Arsenalit: Koscielny e Mustafi. Ky i fundit, u largua nga loja sepse u lëndua gjatë kohës sa po bënte gabimin e tij. Golin e tretë e shënoi poashtu Lingard, i cili ishte lojtari më i mirë i United në këtë sfidë.
Pesëmbëdhjet minuta para fundit, lojtari me numër 6 i skuadrës së Mourinhos, Pogba, u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes brutale në Hector Bellerin. Referi poashtu mund t’i akordonte të paktën dy penallti në fund për Arsenalin, por nuk e bëri në asnjërin rast. Një tjetër faktor që e mundësoi fitoren e United, ishte portjeri i saj fantastik David De Gea, që bëri pritje nga më të pamundshmet – përfshirë edhe një nga Alexis Sanchez i cili nuk e kishte portën më larg se tri metra.
Por, ai që luajti rolin kryesor në këtë ndeshje ishte fati. Natyrisht, fati ka rol në të gjitha ndeshjet, por kësaj here dukej sikur ai ishte inteligjibil dhe madje, dukej si të ishte tifoz i Unitedit.
Sidoqoftë, United tregoi se ka lojtarë shumë cilësorë. Veprimi që e bëri Martial në asistmin drejt Lingardit në golin e dytë, ishte i jashtëzakonshëm. Tanimë United i ka 35 pikë pas 15 ndeshjesh, ndërkohë që Arsenal i ka vetëm 28 dhe nuk arrin ta kalojë Liverpoolin që ndodhet një pozitë më lart. /Periskopi



