UFC: Holloway mbron titullin, mposht Aldon me nokaut (Video)

UFC: Holloway mbron titullin, mposht Aldon me nokaut (Video)

Max Holloway ka mbrojtur titullin kampion bote në peshën “pupël”, pas triumfit me “KO teknik” ndaj Jose Aldo, sfidë e vlefshme për UFC-218 dhe që u zhvillua mëngjesin e sotëm në Detroit. Ky është suksesi i 12-të radhazi në kafaz për kampionin amerikan të arteve marciale mikse, që 6 muaj pasi mori titullin kampion, ku mundi Aldo, e mbron atë me sukses ndaj një prej legjendave të kësaj peshe.

Dy sportistët dhuruan një ndeshje spektakolare, me brazilianin që tentoi të rikthehet kampion, por Holloway ishte ndjeshëm më superior, duke e merituar suksesin e 19-të në karrierë (ka edhe 3 humbje). për Jose Aldo kjo është humbja e 4-t në karrierë, ku numëron edhe 26 fitore.

Max Holloway ka mbrojtur titullin kampion bote në peshën “pupël”

Holloway pati një shans për të mbyllur ndeshjen ndaj Aldo që në raundin e parë, por braziliani i rezistoi një grushti të amerikanit, që më pas reagoi duke goditur rivalin te këmbët, në përpjekje për ta hedhur në tapet. Braziliani përdor armën e tij krysore, goditjen në këmbët e kundërshtarit, për ta rrëzuar, por pa sukses, pasi Holloway mbrohet mirë.

Disa grushte të kampionit çoriditin tërësisht Aldo, që gjakoset në fytyrë dhe humbet ritmin, duke mos qenë më në gjendje të rivalizojë. Dhe, 9 sekonda nga mbyllja e raundit të tretë, gjyqtari vendos të ndalë sfidën, duke i dhënë fitoren kampionit amerikan, që feston me familjen e tij.

“Jam shumë i lumtur që e mbrojta titullin ndaj një kampioni si Jose Aldo, që ishte mjaft i fortë në kafaz. E dija që me kalimin e kohës ai do të lodhej dhe ia dola mbanë ta hidhaj sërish “KO”. Taktika ime ishte që ta zgjasja sa më shumë duelin, “ta çoja atë në ujërat e thella, pasi e dija që ai nuk do të notonte dot aq thellë”. Dhe kjo ishte një strategji fituese”, u shpreh pas duelit Max Holloway, i lumtur që mbrojti për herë të parë titullin kampion.

Për Jose Aldo kjo është humbja e tretë në katër përballjet e fundit, një sinjal që ai ndoshta duhet të mendojë për tërheqjen në moshën 31-vjeçare. Ai është shpallur dy herë kampion bote në këtë peshë, por dështoi për të tretën herë.

Shpërndaje në: