Flet legjenda Martin Keown: Këto janë ditët e fundit të Wengerit në Arsenal

Flet legjenda Martin Keown: Këto janë ditët e fundit të Wengerit në Arsenal

Martin Keown, mbrojtësi që kishte veshur fanellën e Arsenalit për trembëdhjet vjet, ka folur sot për rrethanën aktuale të këtij klubi.

Mbrëmë Arsenali dështoi të fitonte ndaj West Ham United-it, duke zbritur në vendin e shtatë në tabelën e Premier Ligë. Paraqitja nuk ishte aspak e mirë dhe lojtarët dukeshin të pafrymëzuar e jokreativë.

Këtë rrethanë, Keown e komenton si mjaft të rëndë, nga e cila mund ta pësojë trajneri legjendar francez Arsene Wenger. Keown njihej si një ndër mbështetësit më të mëdhenj të Wengerit, por kësaj here, duket që pozita e francezit në klub është lëkundur seriozisht.

“Pyetja po fillon të ngritet sërish, nëse ai [Wenger] do të jetë në klub në sezonin e ardhshëm? Duket se ky është fundi.” – i ka thënë ai BT Sport, përcjell Periskopi.

Ai nuk ka thënë se Wenger do të shkarkohet, por se do të largohej me vullnetin e tij nëse rrethanat nuk ndërrojnë për të mirë. Tekniku francez, që e ka revolucionarizuar futbollin anglez me metodat e tij, e ka dëmtuar keq reputacionin e tij duke qëndruar në një skuadër që nuk ishte mjaftueshëm kompetitive në aspektin financiar ndaj ekipeve si City, United, Chelsea e Liverpool.

Arsenali ka avancuar tutje në Ligën e Evropës, dhe mund të dalë në gjysmëfinale në Kupën e Ligës nëse e mposht West Hamin në fund të muajit.

 

Shpërndaje në: