Gjithnjë kam qenë i bindur se profesioni im është ai i gazetarit

Gjithnjë kam qenë i bindur se profesioni im është ai i gazetarit

Pjesët më interesante të Intervistës së The Paris Review me shkrimtarin e njohur Gabriel Garcia Marquez

INTERVISTUESI

Si ndihesh si gazetar, përsëri, pasiqë i ke shkruar një mori novelash për kaq shumë kohë?

GARCIA MARQUEZ

Gjithnjë kam qenë i bindur se profesioni im i vërtetë është ai i gazetarit. Çka nuk më ka pëlqyer në gazetari përpara, ishin kushtet e punës. Veç kësaj, më duhej të konformoja mendimet dhe idetë e mia me interesat e gazetës. Tash, pasiqë kam punuar si novelist, dhe e kam arritur njëfarë pavarësie financiare, mund t’i zgjedhë temat që më interesojnë dhe që i përgjigjen ideve të mia. Sidoqoftë, gjithmonë e shijoj rastin për të bërë gazetari të mirë.

INTERVISTUESI

Çka është kjo gazetari sipas jush?

GARCIA MARQUEZ

Hiroshima nga John Hersey ishte e jashtëzakonshme.

INTERVISTUESI

A ka ndonjë storje që do t’iu pëlqente ta bënit sot?

GARCIA MARQUEZ

Ka shumë, dhe disa prej tyre në fakt i kam bërë. Kam shkruar për Portugalinë, Kubën, Angolën dhe Vietnamin. Do t’më pëlqente shumë të shkruaja në Poloni. Mendoj se nëse do të përshkruaja atë që po ndodh tash, do të duhej të ishte diçka shumë e rëndësishme. Por është ftohtë i madh tash në Poloni. Unë jam gazetar të cilit i pëlqen komoditeti.

INTERVISTUESI

A mendon se letërsia mund të bëj gjëra të cilat gazetaria s’mundet?

GARCIA MARQUEZ

Hiç asgjë më shumë. Nuk mendoj se ka ndonjë dallim. Burimet janë të njëjta, materjali i njëjtë, gjuha e njëjtë. Gazeta e vitit të Murtajës nga Daniel Defoe është një novelë e mahnitshme ashtu sikurse Hiroshima si një copë gazetarie.

INTERVISTUESI

Por a dallojnë përgjegjësitë e gazetarit me të novelistit, meqë njëri duhet të shpalosë të vërtetën kurse tjetri imagjinatën?

GARCIA MARQUEZ

Në gazetari nëse vetëm një fakt është i pavërtetë e dëmton të gjithë punën. Për dallim nga trilli ku vetëm një fakt i vërtetë i jep legjimitet krejt veprës. Kjo është e vetmja diferencë, dhe qëndron në aftësinë e shkrimtarit. Një novelist mund të bëj çfarë të dojë përsa i bën njerëzit të besojnë në tregimin e tij.

INTERVISTUESI

Si keni filluar të shkruani?

GARCIA MARQUEZ

Duke vizatuar. Vizatoja karikatura. Para se të mund të lexoja dhe të shkruaja e bëja këtë në shkollë dhe në shtëpi. Gjëja për të qeshur këtu, është se, kur isha në shkollë të mesme, unë e kisha njëfarë reputacioni se do të bëhesha shkrimtar ani pse nuk kisha shkruar asgjë. Kur duhej shkruar ndonjë pamfletë ose ndonjë letër peticioni, unë isha ai që e bëja sepse të gjithë më thoshin se do të bëhesha shkrimtar. Kur i hyra kolegjit, tashmë kisha lexuar shumë letërsi, goxha më shumë se të gjithë shokët e mi të gjeneratës. Në Universitetin e Bogotas bëra shokë të rinj, që më njohën me shkrimtarët kontemporanë. Një natë, një shok më dha disa tregime të shkurta nga Kafka. U ktheva në pensionin ku rrija dhe e lexova Metamorfozën. Vargu i parë më la pa fjalë. Isha shumë i befasuar. Ja se çka shkruhet: “Kur Gregor Zama u zgjua një mëngjes nga ëndrra të shumta, e gjeti veten të transformuar në një insekt gjigant…” Kisha menduar se askujt nuk i lejohej të shkruante ashtu. Nëse do ta kisha ditur, do ta filloja karrierën time shumë më parë. Kështuqë, menjëherë nisa të shkruaja tregime të shkurta. Ato janë shumë intelektuale sepse unë nuk e kisha gjetur asnjëherë lidhjen ndërmjet letërsisë dhe jetës. Tregimet u publikuan në revistën El Espectador në Bogota, që ishte mjaft e suksesshme në atë kohë – ndoshta për shkak se askush në Kolumbi nuk shkruante tregime të shkurta intelektuale. Çfarë shkruhej më shumë, ishin tregimet për jetën në fshat. Kur e shkruajta tregimin e parë më thanë se isha i influencuar nga Joyce.

INTERVISTUESI

A e kishit lexuar Joyce-in?

GARCIA MARQUEZ

Jo nuk e kisha lexuar, por fillova të lexoja menjëherë Uliksin. E lexova në të vetmin botim që ishte i mundshëm. Tash që e kam lexuar në anglisht, ashtu si edhe në frëngjisht, mendoj se versioni në spanjisht ishte shumë i keq. Por mësova diçka që ishte shumë e përdorshme për mua në shkrimet e ardhshme – teknikën e monologëve të brendshëm. Më vonë mësova që Virginia Woolf e bën këtë më mirë se Joyce. Megjithatë, më vonë kuptova se monologu i brendshëm ishte shpikur nga një shkrimtar anonim në Lazarillo de Tormes.

INTERVISTUESI

A mendoni se ka ndikuar gazetaria në novelat tuaja?

GARCIA MARQUEZ

Mendoj se ndikimi ishte reciprok. Letërsia e ka ndihmuar gazetarinë time sepse i ka dhënë vlerë letrare. Ndërsa gazetaria e ka ndihmuar letërsinë time sepse më ka mbajtur në një lidhje shumë të ngushtë me realitetin.

INTERVISTUESI

Zakonisht e përdorni temën e vetmisë së pushtetit.

GARCIA MARQUEZ

Aq më shumë pushtet të keni, aq më zor e keni që ta dini se kush iu mbështet dhe kush jo. Kur arrini pushtet absolut, nuk ka më kontakt me realitetin, dhe kjo është vetmia më e keqe. Një person shumë i pushtetshëm, një diktator, është i rrethuar nga interesxhinj dhe njerëz që qëllim final e kanë izolimin e tij nga realiteti.

INTERVISTUESI

Po sa i përket vetmisë së shkrimtarit? A është kjo më ndryshe?

GARCIA MARQUEZ

Ka shumë të bëj me vetminë e pushtetit. Përpjekja kryesore e shkrimtarit që ta paraqes realitetin zakonisht e udhëheq atë drejt një pike ku realiteti i shfytyrohet. Në përpjekjen për ta rikrijuar ose zhvendosur realitetin ai mund të përfundojë duke e humbur kontaktin me të, në një kështjellë të fildishtë, siç thonë. Gazetaria është një rojë e mirë që i kundërvihet kësaj. Ja përse unë gjithmonë jam munduar të bëj gazetari, sepse kjo më mban në kontakt me botën reale, posaqërisht me gazetarinë politike. Vetmia që më ka qëndruar mbi krye kur e shkruaja Njëqind vjet vetmi nuk ishte vetmia e shkritmarit; ishte vetmia e famës, që i shëmbëllen më shumë vetmisë së pushtetit. Shokët më mbronin nga ajo.

INTERVISTUESI

Disiplina është shumë e rëndësishme për ju, apo jo?

GARCIA MARQUEZ

Mendoj se pa një disiplinë të jashtëzakonshme nuk mund të shkruash diçka me vlerë.

INTERVISTUESI

A janë të rëndësishme ëndrrat në inspirimin tuaj?

GARCIA MARQUEZ

Fare në fillim, i kushtoja shumë vëmendje atyre. Por më vonë kuptova se jeta është njëfarë frymëzuesi shumë më i madh se ëndrrat. Ajo që është e vërtetë për shkrimet e mia është se jam shumë i interesuar në koncepte të ndryshme të ëndrrave dhe të interpretimit të tyre. I shoh ëndrrat si pjesë të jetës, në përgjithësi, por realiteti është më i pasur. Ndoshta, se kam ëndrra të varfëra. Kushedi.

INTERVISTUESI

A mendoni se është e rëndësishme për një shkrimtar latino-amerikan të jetojë në evropë për pak kohë?

GARCIA MARQUEZ

Ndoshta për të pasur perspektivë reale nga jashtë. Libri i tregimeve të shkurta të cilin po e shkruaj ka të bëj me latinoamerikanët që shkojnë në evropë. Kam menduar për të për njëzetë vjet. Nëse mund të thuash diçka përfundimtare lidhur me këtë është se latinoamerikanët zor se shkojnë në evropë, në veçanti meksikanët, dhe aq më pak për të qëndruar aty. Të gjithë meksikanët që i takoj në evropë gjithmonë largohen të mërkurën që vjen.

INTERVISTUESI

A mendoni se kur një shkrimtari i vjen fama apo suksesi shumë herët, kjo e dëmton?

GARCIA MARQUEZ

Deri në një moshë, është keq. Do të doja që librat e mi të njiheshin pas vdekjes sime, në vendet kapitaliste, ku unë si njeri bëhem mall për t’u konsumuar.

periskopi

Shpërndaje në: