Serbia pritet të dështojë në CAS rreth Kosovës më 31 tetor
Sipas listës së seancave dëgjimore të CAS, çështja në fjalë do të merret në shqyrtim më datën 31 tetor.
Anëtarët e UEFA-s votuan 28-24 në favor të pranimit të Kosovës në këtë organizatë, vendim që i hapi rrugën pranimit të kosovarëve pak ditë më vonë edhe në FIFA, duke u njohur ndërkombëtarisht në futboll dhe duke u përfshirë në eliminatoret e Botërorit 2018.
Serbët e cilësuan këtë një “votë politike” dhe kërcënuan me gjyq në KAS, duke harruar se nga zyrat e Lozanës nuk kanë dalë asnjëherë fitimtarë.
Në të gjitha rastet e mëparshme, si ndaj ish-trajnerit Radomir Antic, Shqipërisë apo UEFA-s, pala serbe ka humbur gjithmonë në CAS, që tregon qartësisht se pretendimet me të cilat është paraqitur atje kanë qenë të kota apo krejtësisht të paargumentuara.
Kuptohet që gjyqi i palës serbe do të jetë kundër UEFA-s, e cila ka marrë këtë vendim, ndërsa pala kosovare do të jetë thjesht spektatore në këtë çështje pasi është institucioni i futbollit ai që do të provojë se vendimi i marrë nga anëtarët e saj është mëse i drejtë dhe i ligjshëm.



