5 klubet më politike në botë

5 klubet më politike në botë

UEFA ka rregulla strikte të cilat ndalojnë klubet të përfshihen në agjenda politike. Por, megjithatë shumë tifozeri të ndryshme besojnë që futbolli është shumë më shumë se veç ajo që ndodh në fushë.

Këto janë pesë klubet më politike në botë:

5.Athletic Bilbao

Politika ka qenë shumë e përfshirë në futbollin profesionist në Spanjë. Real Madridi ishte i lidhur me regjimin, ndërkohë që Barcelona ka qenë vazhdimisht një klub i tifozëve që donin pavarësi për Katalonjën. Në këtë mjedis politik, klubi më politik ka qenë Athletic Bilbao – i cili i ka bërë jehonë identitetit kombëtar të baskëve – rajon në veri të Spanjës. Gjatë regjimit të Francos, baskishtja ishte e ndaluar si gjuhë. Edhe emri i klubit ishte ndryshuar, nga Athletic, në Atletico. Dhe veç kësaj, klubit nuk i lejohej të përdorte as flamurin bask.

Klubi u bë një zë i fuqishëm për popullin e shtypur bask. Në vitin 2015, gjatë finales së Kupës së Mbretit, edhe ata, por edhe tifozët e Barcelonës e kishin fërshëllyer himnin kombëtar të Spanjës – mu para syve të Mbretit.

Bilbao poashtu përdor një përcaktim shumë unik në përzgjedhjen e lojtarëve që luajnë për të. Nëse, ta zëmë, Messi apo Ronaldo do të donin të luanin për këtë klub, kjo rregullore nuk do t’ua lejonte meqë të vetmit lojtarë që mund të luajnë për ta, janë vetëm baskët.

Klubi bask, është i vetmi në Spanjë që kurrë nuk ka dalë në Ligën e Dytë të Spanjës, ndërkohë që ka fituar edhe disa tituj kampioni dhe të Kupës së Mbretit.

 

4.Celtic

Një tjetër klub i njohur për lidhje me politikën, është gjiganti skocez, Celtic Glasgow. Fan-baza e tyre është e gjitha e përbërë nga katolikët, duke u kundërshtuar kësisoj edhe fetarisht me rivalët e tyre të urryer lokal, që i përkasin protestantizmit, Glasgow Rangers.

Shumë tifozë të Celtic-ut janë të lidhur me republikanizmin irlandezë, dhe kësisoj duan edhe ata pavarësi për Skocinë – përkundër tifozëve të Glasgow të cilët e duan të kundërtën.  Por, një numër i madh tifozësh janë kthyer kundër këtij qëndrimi politik, duke pasur bindje anti-sektare dhe anti-fashiste të asociuara me majtizmin. Madje, ata gjatë një loje kundër një ekipi izraelit, kanë shpalosur flamujt e Palestinës. Pas kësaj, klubi ishte dënuar nga UEFA.

3.Lazio

Klubi nga kryeqyteti ishte dashur nga diktatori famkeq fashist Benito Musolini. Ky i fundit e kishte ndërtuar stadiumin në të cilën kjo skuadër ende luan: Stadio Olimpiko. Stadiumi për shumë kohë, ka qenë ndër më të mirët në mbarë Evropën.

Megjithëse bordi i klubit vazhdimisht ka qenë kundër  demonstrimeve të ndryshme politike, tifozët nuk e kanë dëgjuar asnjëherë dhe kanë mbajtur parulla të ndryshme fashiste. Këto ide janë mjaft popullore mes klasës së re punëtore në qytetin e Romës. Banerët neo-nazistë kanë vijuar të valëviten thuaj çdo ndeshje, megjithëse klubi merrte vazhdimisht dënime.

Ish-futbollisti i Lazios, Paulo Di Canio, i festonte golat e tij para tifozëve të Lazios, në mënyrë fashiste. Ndërsa është pushuar nga puna si komentator, pasiqë e kishte shfaqur ‘tatunë’ e tij ku ishte Musolini.

Së fundi, tifozët e Lazios kanë bërë diçka të tmerrshme. Anë Frankun, që njihet për ditarin e saj si fëmijë gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe e cila ishte vrarë në luftë – ata e kishin portretuar si tifoze të Romës, rivalit lokal shumë të urryer.

2.Livorno

Klubi që kishte luajtur për kohë të gjatë në Serie A në Itali, nga Toskana, ka tifozë krejtësisht të kundërt me Lazion. Ata janë të majtë. Dhe kjo ka bërë që të kenë përplasje të mëdha me tifozëritë e lidhura me të djathtën, si Lazio dhe Hellas Verona. Edhe në stadiumin Armando Picchi vazhdimisht valviten flamuj të ndryshëm në përkrahje të komunizmit. Në atë stadium gjen figurat e Che Guevaras, Fidel Castros dhe Jozef Stalin – ndërsa këndohen në kor këngë komuniste.

Legjenda e këtij klubi është Cristiano Lucarelli, i cili në vitin 2005 kishte qenë golashënuesi më i mirë në Serie A, duke lënë pas lojtarë si Shevchenko, Ibrahimoviq, Vieri, Inzaghi etj. Ai kishte marrë oferta të ndryshme nga klube të mëdha, por i kishte refuzuar duke qëndruar në ekipin e tij të zemrës, pasi kishte qenë fans i saj, dhe i qëndrimeve politike të saj edhe gjatë fëmijërisë.

1.St.Pauli

St.Pauli është një klub i madh gjerman nga Hamburgu në Gjermani. Fan-baza e tyre është krijuar nga punk-rokerë dhe hipsterë të viteve 80, dhe ndërresat e klubit janë tepër unike. Kjo tifozëri është poashtu shumë e lidhur me politikën, por duke qenë ashpërsisht anti-raciste, anti-fashiste, anti-seksiste, anti-homofobike dhe fuqishëm e lidhur me të majtën – transmeton Periskopi.

Kjo e ka bërë këtë klub që të njihet si një ndër klubet më progresiste në botë. Shumë shpesh tifozët ndërmarrin iniciativa të ndryshme ku mbledhin para për njerëzit në nevojë. Poashtu, ata janë kundër komercializimit të futbollit që ndodhi në dy dekadat e fundit.

Periskopi

Shpërndaje në: