Gjyqtarët dhe shqiptarët “e dërrmojnë” Arsenalin: vetëm barazim përballë Chelseat
Arsenali dhe Chelsea kanë ndarë pikët në një ndeshje mahnitëse të zhvilluar në The Emirates Stadium.
Kjo ndeshje pati shumë raste, sepse në njërën anë sulmi i Arsenalit ishte mjaft kreativ dhe në tjetrën, mbrojtësi i saj Shkodran Mustafi bëri një paraqitje katastrofale. Në epërsi kaloi Arsenali me golin e bukur të Jack Wilshere. Por, gjërat u prishën nga gjyqtari i ndeshjes, Anthony Taylor, i cili akordoi penallti për blutë e Londrës, megjithëse ishte e qartë se ajo nuk ekzistoi. Penalltinë e realizoi Eden Hazard, transmeton Periskopi.
Kjo është hera e pestë që Arsenali dëmtohet nga gjyqtarët, dhe pas protestave të drejta të Wenger, ai është dënuar nga Federata Angleze. Kjo penallti e prishti lojën e Arsenalit, duke e vënë edhe më shumë në sfidë mbrojtjen e saj të hutuar. Zappacosta arriti të dërgonte një top ‘qorr’ në zonë, ku Mustafi ishte i pavëmendshëm e i papozicionuar si duhet, gjë e cila u shfrytëzua nga mbrojtësi i krahut Marcos Alonso. Kjo i dëshpëroi keq tifozët e Arsenalit që iu turrën dyerve të daljes ndërsa ishte vetëm minuta e 84 e ndeshjes.
Megjithatë, Arsenali nuk u zmbraps dhe sulmoi vazhdimisht kampionët aktual. Dy minuta para fundit, shënoi Hector Bellerin nga një top i kthyer, duke e shënuar rezultatin final prej 2-2. Kjo ishte një ndeshje mjaft kaotike, shkaku i gabimeve që bëri mbrojtja e Arsenalin. Por, megjithëse Mustafi pritej të ishte ‘komandanti’ i saj duke pasur si partner dyshen e re Holding e Chambers, mbrojtësi gjerman në fakt ishte më i dobëti. Ndërkohë, zvicrani me origjinë shqiptare Granit Xhaka, poashtu la shumë hapësira për mesfushën e Chelseat, dhe bëri poashtu gabime në pasime e në vendosje.
Më të mirët te Arsenal, ishin Wilshere, portjeri Cech, dhe si gjithnjë Alexis Sanchez. Paraqitje mjaft të mirë për Chelsean dha Cesc Fabregas, ndërsa i tmerrshëm në shpërdorimin e rasteve ishte Alvaro Morata që kishte tri herë mundësinë për t’i shënuar Arsenalit falë gabimeve të mbrojtësve, duke dështuar po tri herë./Periskopi



