Benefitet për president bëhen të përjetshme

Benefitet për president bëhen të përjetshme

Me gjashtë vota për dhe dy kundër, Komisioni Parlamentar për Legjislacion ka miratuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Presidentin e Kosovës.

Projektligji i ri e heq kufizimin prej 5 vjet për beneficione dhe nëse ky ligj kalon në Kuvendin e Kosovës, atëherë benefitet e presidentit janë në kohë të pakufizuar. Në bazë të këtij projektligji ish presidenti përfiton një zyre, shofer, truproje dhe asistent.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, ka votuar kundër këtij projektligji duke thënë se ka ardhur koha që t’i vlerësojnë të gjitha privilegjet për presidentin dhe funksionarët e tjerë të lartë.

“Unë e kam kundërshtuar edhe në parim kur e kemi shqyrtuar, për faktin se besoj  ka ardhur koha kur ne duhet t’i vlerësojmë gjitha këto privilegje për presidentin, kryetarin e Kuvendit, kryeministrin, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, kryeprokurorin e shtetit. Sepse, përnjëmend janë në shpërputhje me rrethanat që i kemi sot si vend dhe prandaj, e kam kundërshtuar, vazhdoj me pas qasje të njëjtë sepse mendoj se nuk është e drejtë privilegjet e tilla që as nuk janë arsyetuar të paktën”, tha ajo.

Kundër këtij projektligji ka votuar edhe anëtari nga Vetëvendosja Sami Kurteshi, ndërsa mbështetje ka marrë nga anëtarët e tjerë të këtij komisioni.

Anëtari i Komisionit nga LDK, Arben Gashi, tha se në krahasim me titullarët e tjerë të institucioneve ish-presidentët kanë qenë të keqtrajtuar.

“Beneficionet apo komoditetin punues për zyrtar të lartë shtetëror mendoj se edhe presidenti apo presidentja pas përfundimit të mandatit të detyrës duhet të ketë një komoditet pune, duhet të ketë mundësi një vend ku do t’i vijnë posta, porositë dhe do të merret me çështje të caktuara. Në krahasim me titullarët e tjerë të institucioneve të larta të Kosovës ka qenë i keqtrajtuar, përderisa nuk kemi një ligj i cili rregullon në tërësi hierarkinë e ish zyrtarëve të lartë shtetëror të cilët mund të kenë përfitime të caktuara nga sistemi për një periudhë të caktuar mendoj se ky ligj duhet të përkrahet dhe duhet të kaloj”, tha ai.

Këtë projektligj e ka mbështetur edhe anëtari tjetër i këtij komisioni, Korab Sejdiu, të paktën sipas tij derisa të ketë një legjislacion, i cili adreson hierarkinë.

“Ndaj me ju shqetësimin në lidhje me përfitimet e shumta për zyrtarët e ndryshëm të lartë e jo edhe aq të lartë, ish- funksionarë, të cilët kanë marrë përfitime të ndryshme, mirëpo sipas nenit 33 të Kushtetutës presidenti është kreu i shtetit. Përderisa ne kemi funksionarë me funksione shumë më të ulëta shtetërore, të cilët kanë përfitime të shumta, atëherë është e padrejtë që t’i mohohet një gjë e tillë edhe ish- presidentëve. Kështu që, unë e përkrah këtë amendament, një farë mënyre si një tejkalim i përkohshëm i gjendjes derisa të kemi një legjislacion në fuqi, i cili e adreson në përgjithësi hierarkinë”, tha Sejdiu.

Ndërsa, anëtari nga Vetëvendosje, Sami Kurteshi, tha se ka një dukuri të personalizimit të ligjeve në Kosovë në bazë të fuqisë politike.

“Me pagën që e ka caktuar kryeministri, ku e shikon në raport me presidentin, me kryetarin e Kuvendit, me kryetarin e Gjykatës për besë shumë të drejtë ka të drejtë Ramush Haradinaj, 1 mijë e 300 euro rroga e tij, 2 mijë e 500 e kryetarit të Kuvendit, nuk ka asnjë relacion. Mënyra se qysh e ka bërë këtë është krejt e kundërligjshme, i ka ardhur rasti nën dardhë e ka bërë, se vëllimi i punës së një kryeministri është shumë më i madh sesa vëllimi i punës i një kryetari të Kuvendit edhe se presidenti. Dhe ka qenë larg me pagën më të vogël, prandaj unë po them po personalizohen ligjet në bazë të fuqisë politike që është shumë e padrejtë”, tha ai.

 

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, gjatë kësaj mbledhje ka miratuar edhe raportin vjetor të punës së Komisionit për vitin 2017.

Gjithashtu, është bërë edhe zëvendësimi i anëtarit në Komisionin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, ku të gjithë anëtarët kanë qenë pro që anëtar i këtij komisioni të jetë Sami Kurteshi.

Po ashtu, është caktuar dëgjimi publik për Projektligjet nr. 05/L-145 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 2004/26 për trashëgiminë në Kosovë, Projektligjin nr. 06/L-010 për Noterinë dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-007 për procedurën jo kontestimore, ku dëgjimi publik do të mbahet me 24 janar në orën 11.00./Periskopi/

Shpërndaje në: