Eda Zari dhe Elina Duni kundërshtojnë fuqishëm shkatërrimin e Valbonës
Dy artistet shqiptare kanë kundërshtuar fuqishëm nismën për ndërtimin e hidrocentraleve në këtë lum.
Ato kanë paralajmëruar një maratonë artistike më 29 tetor në Valbonë dhe 30 tetor në Tiranë për të kënduar siç kanë thënë kundër vendimeve të padrejta, në kundërshtim të ndërtimit të HEC-eve në lumin e Valbonës, në kundërshtim të ligjit për importin e plehrave dhe në mbrojtje të tokës, të ujit, të ajrit, e të jetës, shkruan KultPlus.
“Kam vite që këndoj nëpër Evropë këngët e bjeshkëve, këngët e kodrinave, maleve, detit. Në folkun shqiptar natyra është personazhi kryesor. Në ç’do këngë ndihet fryma e saj. Shpesh mbyll sytë dhe nga skena ku jam, paramendoj ato fusha, male, dallgë e re që kanë qenë ndoshta të parët dëgjues të këngës që unë po këndoj. Dua të ëndërroj një Shqipëri ku patriotizmi është simbol i respektit të natyrës së mrekullueshme që kemi, ku ka një turizëm të ndërgjegjshëm, ku dashuria për vendin na bën më të mirë. Dua të ëndërroj një Shqipëri ku liria nuk përfaqëson mosrespektin e pronës publike. Dua që të duam atë që na bashkon dhe sot të bashkohemi për të vetmen tokë që kemi” ka shkruar Elina Duni në rrjetin e saj në facebook.
Duni dhe Zari kanë ftuar që t’i bashkohen iniciativës së pavarur civile për mbrojtjen e kësaj pasurie natyrore, të gjithë artistët shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova si dhe atyre të huaj, që siç janë shprehur dashurojnë Shqipërinë, natyrën e saj të mrekullueshme, e cila sot vuan nga pakujdesia dhe papërgjegjshmëria, por që kërcënohet edhe më shumë nga arbitrariteti dhe dritëshkurtësia e politikës.



