Bunjaku: Refuzova të luftoja kundër kroatëve në vitin 1991

Bunjaku: Refuzova të luftoja kundër kroatëve në vitin 1991

Ai përmend vitin 1991 kur ishte vetëm 20-vjeçar dhe kur nga shteti i atëhershëm jugosllav i kishte ardhur kërkesa për të shkuar në shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Mirëpo, ai sqaron se si kishte refuzuar të shkonte në këtë shërbim për të luftuar kundër Kroatëve në Vukovar të Kroacisë, në kohën kur Jugosllavia e atëhershme e udhëhequr nga serbët ia kishte mësyer këtij qyteti kroat.

Ai foli edhe për ndryshimin e mbriemrit të tij nga Bunjaku në Bunjaki, ndërsa tani kërkon ta quajnë me të parin mbiemër.

“Unë jam Bunjaku. Pra, me ‘u’. Por para 25 vitesh është dashur të ndërroj mbiemrin kur kam ikur nga shteti. Për çdo rast kam ndryshuar atë shkronjë të vetme, që të mos më gjenin”, ka nisur të flasë përzgjedhësi kosovar që është ndalur pak. Natyrisht ka pritur pyetjen e radhës. Keni ikur? Ku? Pse?

“Shikoni. Ishte viti 1991, ndërsa unë 20-vjeçar, student dhe, pos kësaj, futbollist. Një ditë erdhi ftesa për ushtri, për JNA, është dashur të shkoja në Vukovar. Lufta kishte nisur tashmë, të gjithë e kishin të qartë se çka po ndodhte dhe çka do të thoshte ajo ftesë. Nuk më ka shkuar mendja që të përgjigjem, menjëherë kam vendosur ‘jo, ti nuk do të shtiesh në njerëz, ik’. Dhe kështu kam shkuar”.

Kosova përballet me Kroacinë më 6 tetor në Loro Boriçi të Shkodrës në kuadër të Kualifikimeve për Botërorin 2018. /Periskopi.com

Shpërndaje në: